(E përditësuar 19:55) - Bordi Mbikëqyrës i ndërmarrjes “Trepça” të premten ka emëruar Faton Ahmetin si ushtrues detyre të kryeshefit.
Ahmeti që deri tash e kishte pozitën e zëvendëskryeshefit do ta zëvendësojë Bashkim Kurtin.
Më 23 korrik, Gjykata Themelore në Mitrovicë anuloi emërimin e Bashkim Kurtit në pozitën e kryeshefit të “Trepçës” pas ankesës së kundërkandidatit Burim Asllani, i cili pretendoi se pati parregullsi në procesin e përzgjedhjes nga Bordi.
Kurti qe emëruar si kryeshef në janar të këtij viti.
Bordi i “Trepçës” e ka falënderuar Kurtin për angazhimin dhe kontributin e dhënë.
Gjykata anulon zgjedhjen e Bashkim Kurtit në krye të “Trepçës”

(16:05) - Gjykata Themelore në Mitrovicë më 23 korrik ka marrë vendim që ta anulojë zgjedhjen e Bashkim Kurtit si kryeshef të minierës “Trepça”.
Vendimi, të cilin e ka siguruar KOHA më 2 gusht, thotë se është aprovuar kërkesapadia e Burim Asllanit, kundërkandidatit të Kurtit për kryeshef të “Trepçës”, që vendimi për zgjedhjen e kryeshefit të kësaj miniere të anulohet.
Paditësi ka pretenduar se vendimi i Bordit për ta zgjedhur Kurtin si kryeshef të “Trepçës” ka qenë i shoqëruar “me parregullsi të natyrave të ndryshme”.
Sipas Asllanit, parregullsi ka pasur në përbërjen e Bordit përzgjedhës dhe në kushtet e kriteret për kryeshef të “Trepçës”.
Bashkim Kurti u emërua kryeshef i “Trepçës” më 11 janar të këtij viti nga Bordi i Përkohshëm Mbikëqyrës i kësaj ndërmarrje.
“E kam pa vendimin. Është vendim i shkallës së parë me të drejtë ankese. Se a do të ankohemi mbetet të shihet”, ka thënë Kurti për KOHËN pasi e ka pranuar vendimin.
KOHA ka provuar të kontaktojë edhe me kryesuesin e Bordit, Mentor Berisha. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
“Trepça” aktualisht gjendet në krizë pas grevës së minatorëve të cilët nuk i kanë marrë pagat.
