Gazeta Zyrtare, burimi i vetëm zyrtar për qasje në ligje, rregullore e aktet të tjera të Kosovës, ishte thuajse tërë ditën e enjte jashtë funksionit. Derisa shkaku nuk është bërë i ditur, ajo është rregulluar pasdite. Megjithatë, ekspertët theksojnë se siguria e faqeve zyrtare është e cenueshme, meqë institucioneve u mungon stafi profesionistë në fushën e teknologjisë
"Gazeta Zyrtare" e Republikës së Kosovës është burimi i vetëm zyrtar për qasje në ligje dhe akte të tjera, si rregulloret, aktakuzat në mungesë e vendimet e noterëve.
E kjo qasje ishte e pamundshme të enjten. Faqja ishte jofunksionale deri pas orës 15 dhe kjo është hera e tretë që bie brenda një periudhe rreth një-vjeçare.
Nga Agjencia e Shoqërisë së Informacionit nuk janë përgjigjur në pyetjet e KOHËS për problemin e fundit, e Hysen Bajramaj, ushtrues detyre i koordinatorit në "Gazetën Zyrtare", ka folur vetëm për problemet, më të cilat janë ballafaquar në të shkuarën.
“Uebfaqja e ‘Gazetës Zyrtare’ e Republikës së Kosovës funksionon pa problem (përpos 2 rasteve) që në njërin rast për shkaqe sigurie ASHI (Agjencia Shtetërore e Informacionit) e ka nxjerrë nga funksionimi, ngase kishim një sulm kibernetik dhe në rastin tjetër ka pasur të bënte me zhvendosjen nga njeri server në serverin tjetër”, tha Hysen Bajramaj, ushtrues detyre i koordinatorit në “Gazetën Zyrtare”.
Në “Gazetën Zyrtare” publikohen mes 60 e 80 dokumente në ditë, e përveç pengesës në punën e zyrtarëve, sipas Bajramajt, kjo paraqet telashe edhe te personat që duan ta përdorin këtë platformë për t’i konsultuar dokumentet aty.
“Normalisht nëse nuk funksionon mirë webfaqja, atëherë do ta vështirësojë në masë të madhe ecurinë e punës, sepse procesi është zingjiror, ne do kishim problem me publikimin e akteve në webfaqe, por edhe lexuesi do të kishte vështirësi në gjetjen e aktit që ka nevojë. Por, siç e thashë më lart, webfaqja funksionon mirë pa ndonjë problem të madh”, tha Bajramaj.
Njohësi i fushës kibernetike dhe themelues i kompanisë “Sentry”, Kujtim Kryeziu, tha se në institucionet e Kosovës ka mungesë të stafit për t’u marrë me të gjitha sistemet. Rënia e faqes së "Gazetës Zyrtare" gjatë ditës, sipas tij, mund të jetë pasojë e një sulmi apo edhe punimeve në server.
E një prej problemeve madhore sipas tij, është largimi i profesionistëve të fushës nga institucionet publike për shkak të pagës së ulët.
“Arsyeja është sepse në sektorin e teknologjisë përfitimet financiare janë shumë më të mëdha në sektorin privat sesa në sektorin publik. Përpos benefiteve financiare edhe mundësitë për karrierë janë shumë më të mëdha në sektorë privatë sesa në sektorë publikë”, tha kryeziu.
Kosova nuk e ka domenin e saj shtetëror (Top Level Domain) siç e ka për shembull Shqipëria atë “.al” e Maqedonia atë “.mk” dhe për ta marrë atë, siç u shpreh Kryeziu, duhet të bëhet anëtare e organizatës ICANN (Internet Corporation for Assigned Names and Numbers), gjë që është çështje politike.
Shkaku i mungesës së domenit, faqet zyrtare lidhen me domene të “palëve të treta” që nuk janë nën kontrollin e Kosovës.