Një ditë pasi Prokuroria Speciale ka arrestuar pesë serbë, KOHA ka qëndruar në fshatrat ku dyshohet se ata kryen krime lufte, përfshirë edhe djegie për së gjalli të civilëve shqiptarë. Familjarë të viktimave janë shprehur të lehtësuar që hetimet kanë dhënë rezultate. Por janë shprehur edhe të mllefosur, pasi që në këta 25 vjet kanë mundur t’i takojnë vrasësit e familjarëve të tyre, meqë kanë jetuar në të njëjtën komunë
Fitim Imeri ishte 17 vjeç kur forcat serbe ia vranë të atin dhe një të afërme më 5 prill 1999.
Ai thotë se kujtimet e krimit makabër në fshatin Llovcë të Gjilanit e lënë shpesh pa gjumë, meqë të atin Rrahimin atë ditë e pa të masakruar.
“Babai ishte i prerë shumë keq (me bajoneta v.j.), sidomos në pjesën e prapme të trupit. Ka qenë aq i hapur saqë i shiheshin pjesët e barkut”, rrëfen Imeri për babanë që e pa të masakruar. “Diku prej atje (lart në rrugën e fshatit v.j.) ka pasur gjak rrugës, por në këtë pozicion poshtë ka pasur më së shumti gjak”.
Për këtë vrasje dhe të tjera në fshatrat përreth, me urdhër të Prokurorisë Speciale të shtunën janë arrestuar pesë serbë nga rajoni i Gjilanit. Ata u kapën, nën dyshimin për krime lufte, përfshirë vrasjen e shumë civilë shqiptarë. Ndër të tjera, ata akuzohen se disa civilë i dogjën për së gjalli.
Veprimet e Prokurorisë Speciale ia kanë ngjallur Imerit shpresën për drejtësi sado të vonuar, por shprehet edhe i zhgënjyer e i mllefosur.
Thotë se vrasësit e të atit ka mundur t’i hasë në rrugë ose diku tjetër në këta 25 vjet të pasluftës në Kosovë.
“Ne jemi familje e cila jeton dhe vdes me kujtimet makabre. E kam atë mllefin tim. Më ndodh shumë shpesh që kur fillojnë kujtimet, nuk mund të fle. Nuk është vetëm mërzia, por mllefi sepse e mendon se i ke kriminelët duke ecur pranë teje. Ndoshta takohesh me ta. Vëllai im e ka, për shembull, dyqanin në Arbëri (lagje e Gjilanit v.j.) dhe shet pllaka, qe 16 vjet. Ndoshta ata kanë hyrë aty, kanë blerë nga vëllai, ka folur me vëllain pa e ditur”, shprehet Imeri. “E ke pasur ndërmend këtë, sepse e ke ditur që nga fshati Pasjan janë këta, por gjithmonë të ka vrarë kjo ndjenja që kriminelin e ke duke të të kaluar para syve dhe ti nuk e di”.
Vëllai i tij më i madh, Bekimi, është intervistuar nga Prokuroria Speciale për këtë krim.
Në prokurori ka dhënë dëshminë e tij edhe Bexhet Mehmeti, një prej viktimave të rrëmbimit dhe keqtrajtimit nga forcat serbe në fshatin Llovcë.
“Mua personalisht bashkë me një bashkëfshatar dhe një mikeshën time, na kanë marrë peng aty në vendin e krimit, na kanë shoqëruar nëpër fshatrat përreth Gjilanit, deri në stacionin e tyre. Na kanë keqtrajtuar në formën më mizore”, ka rrëfyer Mehmeti. “Deri më tani kemi qenë të zhgënjyer me sistemin, me organet tona, sepse nuk kanë vepruar me kohë. Mendoj se tani ka ardhur koha që policia dhe prokuroria ta kryejnë punën e tyre. Është çështje e tyre sa zgjat, por besoj se do të dalin para drejtësisë akterët”.
Mehmeti thotë se dy prej shtatë civilëve të vrarë, kanë qenë të djegur.
“Krimet kanë qenë barbare. Është e vështirë të përshkruhet”, shprehet ai.
Para se ta lironin nga stacioni i Gjilanit, Mehmeti thotë se dikush nga policët serbë i ka treguar se sulmi ndaj popullatës civilë në këto fshatra ishte i planifikuar.
“Në kohën kur ka përfunduar aksioni e na dërguan në Stacionin Policor në Gjilan dhe aty thanë: ‘e kemi kry aksionin në fshatin Llovcë’. Domethënë, kjo të bën të dyshosh që kanë qenë të koordinuar mirë si sistem, prej strukturave serbe”, ka theksuar Mehmeti.
Pesë serbët e arrestuar dyshohet se në fshatrat Llovcë, Kokaj, Pogragjë e Uglar, në prill të 1999-s kanë vrarë, plagosur por edhe djegur për së gjalli viktima civile shqiptare.
Po ashtu dyshohet se kanë marrë peng, kanë dhunuar, plaçkitur e dëbuar civilë shqiptarë.
KOHA qëndroi të dielën në këto fshatra dhe shumë nga të mbijetuarit e krimeve të luftës dhe familjarët e viktimave hezituan të deklarohen dhe të ofrojnë hollësi, meqë thanë se janë udhëzuar nga prokuroria të mos i zbulojnë detajet që mund të ndikojnë në hetim.
Por theksuan se janë shumë më shumë serbë të përfshirë në këto krime, sesa pesë sa janë arrestuar.
Të arrestuarve Dragan Cvetkoviq, Dragan Niçiq, Milosh Shoshiq, Nenad Stojanoviq, Slobodan Jevtiq dhe Darko Cvetanoviq të shtunën u është caktuar masa e paraburgimit prej 30 ditësh të shtunën.
Sipas Prokurorisë, të arrestuarit dyshohet se ishin paramilitarë gjatë luftës, por familjarë të viktimave thanë se edhe policia serbe ishte e njoftuar me vrasjet që ndodhën në Llovcë, meqë ajo e udhëhoqi varrosjen e viktimave civile shqiptare, duke i urdhëruar familjarët t’i varrosin shpejt e shpejt në vendin ku sot ndodhet memoriali përkujtimor për ta.
LEXO EDHE: