Motra e gruas së vrarë të mërkurën para Gjinekologjisë në Prishtinë ka thënë se dhëndri, i cili është i dyshuar për rastin, vazhdimisht e ka kërcënuar gjithë familjen me armë zjarri. Ajo adresoi akuza drejt institucioneve për mosveprim. E KOHA mëson se rasti për të dyshuarin ishte hapur në Qendrën për Punë Sociale në Lipjan. Por nga kjo qendër nuk kanë dhënë hollësi për rastin, me justifikimin se janë urdhëruar nga institucionet qendrore që të mos komunikojnë me media.
Familja Magashi në Llugagji të Lipjanit ka hapur të enjten dyert e shtëpisë për të afërm e miq që u vinin për ngushëllime, për të bijën që të mërkurën u vra para Klinikës së Gjinekologjisë teksa priste për ta lindur fëmijën.
Gruaja në javën e 41-të të shtatzënisë dyshohet se u vra nga bashkëshorti i saj.
Motra e së ndjerës ka treguar se ajo ka qenë e maltretuar fizikisht nga e gjithë familja e të dyshuarit.
“Ka pasur dhunë atje në familjen e vet prej vjehrrës, prej burrit, prej të gjithëve, edhe ka thirrë në telefon: motër bëma një zgjidhje. Ne i kemi thënë: motër, si mundemi ta bëjmë zgjidhjen. Ka thënë: motër hajde merrum sa më shpejt se po më rreh, po më maltreton, e ka rreh me çykë të armës dhe i ka mëshu përmas... Ajo ka punuar në Komunë në Ferizaj, por kur u martua burri e ndali në shtëpi”, ka thënë motra e viktimës.
Ajo thotë se e gjithë familja ndihet e pasigurt derisa i dyshuari të mos arrestohet, pasi që ai, sipas saj, është kërcënuar se do ta vrasë edhe motrën e vogël, te e cila pati qëndruar e ndjera pas ndarjes nga bashkëshorti.
“E ai ka thënë kam me ta vra motrën e vogël me gjithë burrë, kam me ta kall shpijën, kam me t'i qitë tri bume, kam me ta çu në ajër shpinë, krejt Llugagjinë kom me rrotullu”, ka thënë tutje motra e viktimës.
Familjarë të të dyshuarit kanë mohuar se mbi viktimën është ushtruar dhunë. Babai i të dyshuarit ka bërë të ditur se familja është e tronditur me rastin.
Rreth dhunës së ushtruar ndaj viktimës ishin të njoftuara edhe organet e rendit. Për të ishte caktuar edhe urdhri i mbrojtjes nga gjykata. Porse familjarët thonë se policia nuk e ka zbatuar urdhrin.
Burime të KOHËS bënë të ditur se e ndjera në korrik e pati raportuar rastin në Polici në Shtime, e pas kësaj Qendra për Punë Sociale në këtë komunë e ka përcjellë rastin te Qendra në Lipjan. Në këto institucione nuk kanë pranuar që të japin hollësi për rastin, me justifikimin se janë urdhëruar nga institucionet qendrore që të mos komunikojnë me media.
Viktimat e dhunës në familje pas raportimit të saj mund të qëndrojnë në strehimore për rreth 6 muaj, e pas kësaj periudhe ato, në shumicën e rasteve, kthehen te dhunuesit, në mungesë të mekanizmave institucionalë për riintegrimin e tyre.