Familja Dehari ka dorëzuar kërkesë në Prokurorinë Speciale të Kosovës që në hetimet për rastin e vdekjes së Astrit Deharit, të përfshihet Instituti Zviceran i Mjekësisë Ligjore.
Avokati i familjes Dehari, Tomë Gashi, përmes një letre ka kërkuar që të riangazhohet ky institut për të zbardhur rrethanat e vdekjes së Deharit.
“Kërkohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës që të riangazhoj institutin zviceran të mjekësisë ligjore që të identifikohen vrasësit e Astrit Deharit”, thuhet në kërkesën e familjes Dehari, që avokati Tomë Gashi e bëri publik.
KTV-ja ka raportuar të enjten për këtë kërkesë të familjes Dehari.
Ushtruesi i detyrës së kryeprokurorit special Afrim Shefkiu, i ka thënë televizionit se janë akoma në përgatitje të lëndës dhe më pas do të vendosin nëse do ta ftojnë Institutin Zviceran apo jo. Në ekspertizën mjekoligjore për rastin Astrit Deharin, është konstatuar se hipoteza e një vetëvrasjeje duket pak e vërtetë dhe intervenimi i një personi të tretë në procesin fatal duhet të kihet parasysh.
Astrit Dehari u gjet i vdekur në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, më 5 nëntor të 2016-s.
{gallery}