Gjashtë muaj para se të vritej, 11-vjeçari Kujtim Veseli ishte dhunuar seksualisht nga vrasësi. Rasti ishte denoncuar, por autoritetet nuk e kishin paraburgosur të dyshuarin dhe as nuk i kishin bërë ekspertizë viktimës. Për mosveprim, një prokurori i është shqiptuar masë disiplinore “ulje e pagës në 30%, për 6 muaj”. Familja e 11-vjeçarit të vrarë, i ka kërkuar sërish Prokurorisë dhe Policisë për t’i vënë para drejtësisë përgjegjësit, që nuk e parandaluan vrasjen
Institucionet e drejtësisë vazhdojnë të heshtin karshi ankesave të familjarëve të 11-vjeçarit Kujtim Veseli, i cili gjashtë muaj para se të vritej ishte dhunuar seksualisht nga njeriu, që dyshohet se e privoi nga jeta. Rasti i dhunimit ishte denoncuar, por autoritetet nuk kishin ndërmarrë asnjë veprim.
I akuzuari për vrasjen e 11 vjeçarit nga Fushë Kosova, e kishte pranuar veprën penale për dhunim në prill të vitit 2019, por edhe këtë herë institucionet e kishin lënë në liri.
Familja e 11-vjeçarit ka dorëzuar sërish ankesë në Prokurorinë e shtetit dhe në Policinë e Kosovës, me kërkesën që të dënohen përgjegjësit që neglizhuan rastin.
Rina Kika, avokate e familjes së viktimës, thotë se gjendja e familjarëve të Kujtimit është e rëndë, dhe tregon për ankesat që tashmë i kanë dorëzuar.
“Javën që shkoj ne i kemi dorëzuar dy ankesa, një ndaj zyrtares policore e cila ka qenë përgjegjëse për rastin e Kujtimit në janar të vitit 2019 dhe një ndaj zyrtares nga Prokuroria, prokurores e cila ka qenë përgjegjëse në korrik të vitit 2019. Këto dy zyrtare publike i kemi denoncuar për shkak se nuk i kanë ndërmarr veprimet e duhura”, ka thënë Kika.
Në Prokurorinë e Shtetit dhe as në Inspektoratin Policor nuk treguan gjatë së martës, nëse janë duke u zhvilluar hetime ose nëse do të merren masa për personat e përmendur në ankesën e familjes së Kujtim Veselit.
E, avokatja e familjes thotë se nuk do të ndalet së kërkuari drejtësi.
Ajo ka shprehur pakënaqësinë edhe me vendimin e Këshillit Prokurorial, i cili prokurorit Ruhan Salihu i kishte shqiptuar vetëm masë disiplinore “ulje e pagës në 30%, për 6 muaj”, edhe pse ishte konstatuar se ai nuk kishte kërkuar ndalimin dhe paraburgimin e të dyshuarit për dhunim dhe as nuk kishte kërkuar të bëhej ekspertiza mjeko-ligjore e viktimës.
“Kjo masë nuk është fare adekuate për shkeljet dhe nuk është proporcionale me pasojat të cilat i ka sjellë përgjegjësia e tij disiplinore dhe shkeljet, që i ka bërë ai prokuror”, ka thënë Kika.
Për vrasjen e Kujtimit, edhe Avokati i Popullit, ka publikuar një raport, në të cilin ka listuar shkeljet e institucioneve përgjegjëse. Në raportin 20 faqesh, thuhet se i dënuari për vrasjen e Kujtimit, Sefedin Osmani kishte 15 aktakuza e 26 kallëzime penale.
Aty thuhet se në prill të vitit 2019 ishin pezulluar hetimet nga ana e Policisë, për të akuzuarin.
“Më 18 shtator 2019, IAP-ja ka marrë përgjigje nga PThP-ja: ‘... lënda është pranuar në Prokurori me datë 15 prill 2019. Më 11.06.2019, është marrë aktvendim për fillim të hetimeve meqë i pandehuri S. O. është ftuar me ftesë në prokurorinë Themelore në Prishtinë. Ftesa është pranuar nga i njëjti, mirëpo nuk është paraqitur në Prokurori. Ftesa e dytë të pandehurit i është dërguar me datë 21.05.2019 dhe i njëjti prapë e ka pranuar por nuk është paraqitur. Me datë 26.06.2019 është pezulluar hetimi”, thuhet në raportin e Avokatit të Popullit, të publikuar gjatë vitit 2019.
Ky institucion kishte konstatuar edhe shkelje të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut, në këtë rast.
Pas vrasjes së Kujtimit, edhe të tjerë fëmijë kishin treguar se ishin ngacmuar e ishin rrahur nga i njëjti person.
Sefedin Osmani në tetor të 2020-ës, u dënua me 25 vite burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë, për dhunimin për muaj rresht dhe vrasjen e 11-vjeçarit nga Fushë Kosova, Kujtim Veseli.