Për Armend Momqillën, pasdarkat ishin festa të vogla në muajin më të madh të islamit. Pasi bënte iftar me familje, ai dhe shokët me biçikleta lëshoheshin teposhtë deri në qytet për t’i falur taravitë.
“Mandej, pas taravive ka qenë atmosfera e mirë kur dilnim, jo naj akullore, jo naj kafe, jo naj muhabet. Atmosfera ishte ndryshe”, kujton Momqilla (24), nga fshati Zaskok i Ferizajt.
Sivjet është shtrënguar t’i falë në shtëpi, pasi Bashkësia Islame e Kosovës (BIK), me rekomandim të Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Institutit Kombëtar të Shëndetit Publik, mbylli dyert e xhamive për xhematin si masë mbrojtëse nga koronvirusi. Namazi i taravive nuk është i detyrueshëm për besimtarët myslimanë. Por Momqilla po falet në shtëpi.
“Nuk është njësoj si në shtëpi, si në xhami. Ligjërimi i hoxhës para namazit të taravive ka pasur një efekt të mirë”, thekson Momqilla, i cili punon në dyqanin për shitjen dhe ndreqjen e pajisjeve teknologjike, përballë Xhamisë së Madhe. Aty vjet falej me shokë para se të freskohej me akullore të “Loçkës”, ëmbëltores më të njohur në qytetin e rrafshët. Të enjten në mesditë ezani ia këput për pak rrëfimin. Ora fiks 13:00. Myezini, fikall vetëm në “xhaminë e ndaluar” për besimtarët.
“Ndryshe është m’u falë në xhami. Në xhami është tjetër ndjenjë e tjetër atmosferë”, thotë Momqilla.
“Atmosfera pa xhami në Ramazan është e zbehtë, sepse aty shkoj e takoj Hesetin, e shoh atë tjetrin, e flasim ...”, thekson Besart Llabjani nga fshati Surqinë. “Ki njeri që kurrë nuk vjen në xhami, ndoshta kurrë nuk falet, ama në Ramazan vjen”, ndërhyn Heset Hajdini, pronar i një firme inxhinierike. “E ngreh, a po kupton”, ia këput fillin Llabjani.
Edhe Muhamedi u falke në shtëpi
Xhabir Hamiti, i cili ka studiuar islamin – fushë të ngushtë studimi ka ekzegjezën – në universitetet e Medinës, Jordanisë, Libanit dhe Sarajevës, thotë se taravitë janë lutje vullnetare.
“... Zanafilla e tyre kthehet tek gjeneratat e hershme myslimane, të cilat këtë formë të lutjes e kanë filluar në shenjë madhështimi për muajin e shenjtë të Ramazanit”, thekson Hamiti, profesor në Fakultetin e Studimeve Islame në Prishtinë. Ai thotë se sipas të dhënave historike të bazuara në literaturën e hershme burimore islame, profeti Muhamed qëllimshëm nuk i falke taravitë në xhami, por në shtëpi.
“Arsyeja thuhet të jetë frika e tij për konsiderimin e kësaj praktike si një obligim të detyrueshëm (farz) nga ana e ithtarëve të tij, dhe në këtë kontekst është e njohur thënia e tij: ’Faluni në shtëpitë tuaja’”, thotë ai, duke shtuar se edhe forma e faljes së tyre ndryshonte prej të tanishmes. “Kurse një praktikë të tillë të taravive që kryhet sot, besohet se për herë të parë e ka normëzuar si një risi e praktikës fetare islame udhëheqësi i dytë i myslimanëve pas vdekjes së Muhamedit, Omer bin el-Hattab (584-644)”.
Prandaj, thotë Hamiti, meqë kjo nuk ishte praktikë e të dërguarit Muhamed, e ushtruar drejtpërdrejt në xhamin e tij, rrjedhimisht nuk ka pasur as ujdi mes studiuesve myslimanë për numrin e reqateve - qëndrimit në këmbë, përkuljes dhe përuljes.
“Kjo lloj lutjeje hyn në domenin e namazeve nafile-fakultative, të cilat preferohen të kryhen individualisht dhe në qetësi absolute”.
Hamiti thekson se falja kolektive e taravive në xhami apo në ambient tjetër, për shekuj me radhë është shndërruar në traditë e cila me kalimin e kohës është “mishëruar ngushtë me komunitetin e përgjithshëm mysliman, si një pjesë e pandashme e muajit të Ramazanit”.
Hajdini, inxhinieri, thotë se lidhja komunitare dëshmohet edhe me mënyrën e rreshtimit të besimtarëve në xhami në kohën e faljes së taravive.
“Hoxha prin, por nëse ai gabon, atëherë dikush në rend të parë – që janë pleqtë, edhe pse ish dashtë të rreshtoheshin sipas diturisë islame - ose dikush tjetër më vonë, kur e sheh se tjerët s’e vërejtën gabimin e hoxhës, mjafton me thanë ‘subhanallah’ dhe hoxha e di se ka gabu, dhe e përmirëson brenda reçateve”, thekson ai.
Momqillës, punëtorit të dyqanit të pajisjeve teknologjike, po i mungon fryma e bashkësisë që krijohet gjatë krejt muajit të Ramazanit, sidomos prej iftarit deri në syfyr.
Kur “prangosen djajtë e hapen dyert e xhenetit”
“Ramazani i ka aktivitetet e pasdarkës. Aktivitetin e iftarit, faljen në xhami. Këto s’i kemi. Kjo është diçka tjetër. Kjo nuk është vetëm në Kosovë, kjo është në krejt globin. Do të thotë, jemi në një situatë të jashtëzakonshme”, thotë Ahmet Sadria, sekretar i përgjithshëm i BIK-ut. “Në pyetje është ruajtja e shëndetit të njeriut, dhe kur është në pyetje shëndeti, jeta e njeriut, islami i jep përparësi jetës së njeriut para të gjitha të tjerave. Po e rrezikuam jetën, nuk na duhet asgjë tjetër”.
Muaji Ramazan është më i rëndësishmi në islam, sepse profetit Muhamed i zbriti Kurani.
“Çka do të thotë se kjo tregon peshën e këtij muaji. Gjithçka që veprohet. Gjithçka që veprohet, pos agjërimit, lidhet me veprat e punët që bëhen, shpërblimin e kanë shumëfish më të madh në muajin e Ramazanit”, thekson Sadria gjatë një bisede telefonike. Shpesh i referohet profetit të myslimanëve teksa flet për vlerën që ka muaji i agjërimit.
“Është muaji që, sikur na ka njoftuar resulullahu (pejgamberi,v.j.), është muaji që hapen dyert e xhenetit dhe mbyllen dyert e xhehenemit, prangosen djajtë, muaji i rahmetit, muaji i faljes, muaji i shpëtimit nga zjarri”, thekson ai. “Do të thotë, është muaj i veçantë”.
Ai thotë se krejt këto i mobilizojnë besimtarët gjatë tridhjetë ditëve të agjërimit.
“Këtë e rrit dhe e bën më madhështore kur kemi parasysh se është kryesori prej muajve, se është Nata e Kadrit kur ka zbritur Kurani”, thotë Sadria.
Në kushte normale, të martën, kur është Nata e shpalljes, besimtarët myslimanë do të solidarizoheshin në xhami me ata që kanë kushte më të vështira ekonomike. Hajdini thotë se pas taravive të kësaj nate në xhami, besimtarët do të jepnin para për të varfrit. Ndaras, do të ndanin edhe për imamin e fshatit.
“Surqina, edhe pse katund i vogël, kurrë nuk e ka lanë hoxhën ner 600 euro”, thekson Shkëlzen Llabjani. “Hoxha nuk e ka obligim me na i falë taravitë. Është punë vullnetare, andaj ne ndajmë një shumë edhe për hoxhën që na prin”, thekson Hajdini.
“Kjo do të thotë se mobilizimi i besimtarëve është më i veçantë gjatë këtij muaji”, thekson Sadria, duke folur për krejt aktivitetet dhe historinë e islamit të nyjëtuar me Ramazanin. Njëherësh ka kërkuar mirëkuptim nga besimtarët për masat që qëllim të vetëm kanë shëndetin e gjithsecilit.
Hamiti, profesori i studimeve islame, thotë se meqë taravitë nuk janë të obligueshme, çdokush, pa asnjë pengesë, mund t’i falë në shtëpi, apo kudo në një mjedis privat.
“Sigurisht jo vetëm mua, por të gjithë besimtarëve, gjatë këtij muaj iu ka munguar vendfalja publike e taravive - xhamia, ku gjatë ditës apo edhe ditëve dhe festave të mëdha, do të mund të luteshim kolektivisht”, thekson ai. “Megjithatë, vlen të përmendet se lutjet individuale, të cilat në mësimet fetare islame nuk kanë karakter kolektiv, mund të kryhen në çdo cep të tokës dhe në çdo ambient të pastër, e në këtë rast edhe namazi i taravive”. Hamiti mendon se myslimani, kudo qoftë, mund të lidhet nëpërmjet besimit me Zotin.
“Leksioni” i virusit me kurorë
Momqilla, me ndonjë përjashtim kur ishte tepër i lodhur, është falur me nënën në shtëpi. Përsërit se namazi në xhami ka vlerë shumëfish më të madhe se në shtëpi.
“Klima e këtij muaj të Ramazanit, krahasuar me muajin e vitit të kaluar, apo edhe me vitet e mëhershme, natyrisht që është e ndryshme, dhe atë thellësisht, jo vetëm për shkak të mbylljes së xhamive dhe faltoreve të tjera, por për shkak të karantinimit dhe distancimit familjar dhe shoqëror, një gjendje kjo e shoqëruar edhe me frikën e të tanishmes dhe të së ardhmes paspandemike”, thotë Hamiti.
Sadria, sekretari i përgjithshëm i BIK-ut, megjithatë mendon se besimtarët duhet të nxjerrin mësime prej situatës së jashtëzakonshme që shtrëngoi xhamitë t’ua mbyllin dyert besimtarëve për t’i mbrojtur. I inkurajon që të tregohen sa më solidarë ndërmjet vete.
“Nga krejt kjo që e thashë, që kushtimisht nëse (virusi,v.j.) e ka zbehur Ramazanin; namazin, iftaret e tubimet e të gjithëve, unë mendoj se këtu është diçka shumë pozitive, sepse kemi pasur mundësi t’i kthehemi vetvetes”, ka thënë ai. “Kjo situatë na ka dhënë mundësi të reflektojmë në aspektin pozitiv që të mësojmë shumë nga kjo”.