Shtatë programe të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë kanë dështuar të riakreditohen sivjet për shkak të dështimit për të funksionalizuar objektin i cili është ndërtuar para 11 vjetësh. Tani ky fakultet ka mbetur me vetëm një program të nivelit nivelit baçelor dhe katër të nivelit master
Me vetëm një program të nivelit baçelor dhe tre të nivelit master ka mbetur Fakulteti i Bujqësisë dhe Veterinarisë (FBV).
Shtatë programe të tij kanë dështuar të riakreditohen sivjet për shkak të mungesës së infrastrukturës së përshtatshme. Për pasojë, maturantët nuk do të mund të regjistrohen në programet e nivelit baçelor: Teknologji Ushqimore me Bioteknologji, Ekonomia e Bujqësisë dhe as në atë Prodhim Shtazor. Ndërkaq, studentët e diplomuar nuk do të mund të regjistrojnë programet në nivelin master: Ekonomia e Bujqësisë dhe Ushqimit, Shkencat e Ushqimit, Shkencat e Aplikuara në Zootekni dhe Mjekësia Veterinare.
Ekipi prej gjashtë ekspertëve ndërkombëtarë, që ka zhvilluar vizita në fakultete për të parë nëse i plotësojnë kushtet për akreditim, ka konstatuar se infrastruktura në këtë institucion është në gjendje kritike.
“Për sa i përket infrastrukturës, FBV është në një situatë jashtëzakonisht kritike dhe të vazhdueshme, që nga viti 2020/21. Aktualisht ligjëratat janë zhvendosur përkohësisht në godinën e një shkolle të mesme matematikore, pasi ndërtesa e mëparshme është destinuar për qëllime të tjera dhe ndërtesa e re nuk është gati për t’u funksionalizuar. Për shkak të kërkesave zyrtare të sigurisë, modifikimet në ndërtesë janë të nevojshme”, është thënë në raportin e ekspertëve.
Ekspertët kanë theksuar se menaxhmenti i fakultetit i ka njoftuar se do të bëhen me objekt të ri në shtator të këtij viti.
“FBV pret që ndërtesa të përfundojë dhe të jetë gati për shfrytëzim në shtator të 2024-së. Megjithatë, ekspertët nuk mund ta vlerësojnë standardin në bazë të kushteve që priten të jenë në të ardhmen, por vetëm në bazë të situatës aktuale siç u konstatua më 28 dhe 29 shkurt 2024, gjatë vizitës në terren”, është thënë në raport.
Objekti i ri për fakultetin i nisur para 11 vjetësh, nuk është funksionalizuar pasi është ndërtuar duke mos i respektuar kushtet teknike për distancën prej së paku 7 metrash nga largpërçuesi me tension të lartë. Tani objekti frekuentohet nga shpezë, jashtëqitjet e të cilave kanë mbuluar dyshemenë.
Mosarritja e funksionalizimit të objektit të Fakultetit të Bujqësisë ishte një ndër arsyet që u shkarkua në vitin 2022 rektori Naser Sahiti.
E, KOHA ka pyetur edhe rektorin e tanishëm Qerim Qerimi për arsyet e mosfunksionalizimit të objektit, por përgjigjja ka munguar.
Për këtë çështje nuk pranoi të flasë as dekani Bedri Dragusha.
KOHA pati raportuar vitin e kaluar se UP-ja ka arritur një marrëveshje me KOSTT-in, që për t’u kyçur në rrjetin elektrik të ndërhyhet në arkitekturën e objektit. Sipas marrëveshjes, pllaka e jashtme e katit të tretë është paraparë të largohet për të arritur standardin teknik. Por një intervenim i tillë nuk është realizuar.
“Më konkretisht, është propozuar që objekti në katin 3, konkretisht pllaka e katit 3 dhe pllaka e kulmit të cilat janë nga betoni i armuar duhet të priten dhe atë deri tek elementet vertikale dhe horizontale të konstruksionit”, shkruan në dokumentin e nënshkruar më 10 mars të vitit të kaluar.
Sipas raportit teknik, distanca momentale ndërmjet katit përdhes dhe kateve një, dy dhe tre është 6.79 metra dhe 5.63 metra. Largimi i largpërçuesit, i cili është cilësuar se përbën rrezik për jetën e njerëzve, nuk është opsion në këtë marrëveshje.