Ish-deputeti i LDK-së, Fadil Geci, do të vazhdojë edhe sot dëshminë tij në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Gjykatën Speciale.
Seanca e së martës pritet të nisë në orën 9:00, ndërkohë që transmetimi i saj bëhet 45 minuta më vonë.
Geci në nisje të dëshmisë së tij të hënën, ka sqaruar përmbajtjen dhe ndikimin e komunikatës së 59-të të UÇK-së. Në këtë komunikatë vëllai i Fadilit, Gani Geci, ishte etiketuar si tradhtar pas vrasjes së komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha.
Atij nga ZPS-ja iu treguan deklaratat e Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit lidhur më komunikatën. Në deklaratën e Selimit thuhej se Thaçi e ka shkruar komunikatën e 59-të.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, ka treguar se dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.
Në këtë rast ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryeparlamentarët Kadri Veseli e Jakup Krasniqi, si dhe ish-shefi i deputetëve të Vetëvendosjes, Rexhep Selimi, akuzohen lidhur me ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Në bazë të aktakuzës së ZPS-së e publikuar në shkurt të vitit 2023, Thaçi, Veseli, Krasniqi e Selimi akuzohen për ndërmarrje të përbashkët kriminale lidhur me rreth 100 vrasje, pastaj për tortura e trajtim mizor në rreth 40 qendra ndalimi gjatë periudhës 1998-1999.
ZPS-ja pretendon se kryen ndërmarrje të përbashkët kriminale që ndërlidhet me gjashtë akuza për krime lufte: Përndjekje (Pika 1), Burgosje (Pika 2), Akte të tjera çnjerëzore (Pika 4), Torturë (Pika 6), Vrasje e paligjshme (Pika 8), Zhdukje me dhunë (Pika 10) si dhe katër akuza për krime kundër njerëzimit përfshirë këtu Arrestim dhe ndalim i paligjshëm ose arbitrar (Pika 3), Trajtim mizor (Pika 5), Torturë (Pika 7) dhe Vrasje e paligjshme (Pika 9). Shumica e viktimave të krimeve sipas ZPS-së janë shqiptarë, civilë dhe pjesëtarë të Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Sipas ZPS-së, të akuzuarit kanë qenë në dijeni apo është dashur të jenë në dijeni shkaku i pozitave udhëheqëse në Shtab të Përgjithshëm, lidhur me pretendimet për krimet që janë kryer dhe kanë pasur qëllim që ta marrin pushtetin në Kosovë përmes tyre. Ish-drejtuesit e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së i kanë mohuar të gjitha këto akuza. Ata kanë thënë se UÇK-ja nuk kishte hierarki të tillë, meqë peshën e kishin komandantët e zonave dhe se kishte për qëllim ta luftonte Serbinë e jo civilët.
Dëshmitari Fadil Geci: Thaçi dëshironte eliminimin e LDK-së në Drenicë
Dëshmitari Fadil Geci është duke dëshmuar për ditën e dytë me radhë në rastin më të madh të Dhomave të Speciale. Ish-deputeti Geci ka thënë se ish-presidenti Hashim Thaçi është lehtësuar pas vdekjes së familjes Jashari sepse mendonin se kështu do të hipte në krye të UÇK-së.
Ai hodhi akuza të rënda duke thënë po ashtu se UÇK-ja e shihte pengesë LDK-në në Drenicë dhe dëshironte eliminimin e saj.
Tha po ashtu se ka shkuar në shtëpinë e familjes së Hashim Thaçit për të pyetur lidhur me komunikatën e 59-të që e cilësonte vëllain e dëshmitarit, Gani Gecin, si tradhtar pas vrasjes së Abedin Rexhës.
“Unë prej ditës së parë që e ka shkruar, unë kam ditur e i kam shku në shtëpi dhe i kam thënë ama përgjigjen për komunikatën 59. Ka thënë brenda një muaj, babai i tij, ta jap përgjigjen. Kurrë s'e ka dhënë përgjigjen...Nuk e ka dhënë përgjigjen, se ka menduar ‘Jasharët, i likuiduan’, ky njerëzit e vdekur i ka dashtë edhe i ka përmendë, jo të gjallët. E ne jemi gjallë. Ka menduar edhe neve me na likuidu, po jemi këtu dhe na ka ruajtur zoti që ta themi të vërtetën dhe ta shkruajmë të vërtetën e jo rrenën”, ka thënë dëshmitari.
Fadil Geci për Ramë Bujën: Më tha që ka hëngër plumb pse na ka mbrojtur neve
Dëshmitari Fadil Geci po vazhdon dëshminë edhe të martën në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, ku tha se kur ka biseduar me Ramë Bujën lidhur me komunikatën e 59-të, ai i ka thënë që ka marrë plumb pse i ka mbrojtur vëllezërit Geci.
“Më ka thanë që kemi biseduar në Shtab aty. Ai e di atë, por thotë që kam pas pasoja edhe unë pse kam folur për ju, bile më thotë se unë kam hëngër plumb pse ju kam mbrojtur juve e ju keni pas të drejtë edhe ju mirë na e keni bë se keni pas të drejtë. Ju kam thanë mani e nuk më kanë dëgjuar, le ta bajnë me shnet e le të mbajnë përgjegjësinë”, tha Geci, duke shtuar se Ramë Buja personalisht ia ka thënë këto fjalë.
Ndërsa, për deklaratën lidhur me shkruesin e komunikatës 59-të, dëshmitari tha se i qëndron prapa, raporton “Betimi për Drejtësi“.
“Mesazhi është i qartë: ai shqiptar që na ka njohur mirë kush jem na e e ka shkru komunikatën 59, mundet me kanë tulifar nacie tjetër, por jo shqiptar. Mundet me e kontrollu me thanë që jam shqiptar, po në zemër e në gjak nuk mundet me kanë shqiptar. Këtë e kam thënë dhe është e vërtetë”, tha Geci.
Dëshmitari Geci u pyet edhe për Sabit Gecin, të cilin për ZPS-në e kishte quajtur bashkëfshatar dhe se sipas tij kanë qenë së bashku me një klasë.
“Unë mund të gaboj, por Sabiti ka qenë në burg për një aksident në komunikacion e që është dalë prej burgu më 1997, është kyç”, u shpreh Geci.
Musli Gecin dhe Hetim Gecin, dëshmitari tha se i njeh shumë mirë dhe për këtë të fundit ai tha se është dajë i Adem Jasharit.
Më pas, dëshmitarit iu prezantuan disa fotografi të cilat mbanin numra për secilin që ishte aty e që iu kërkua identifikim nga ana e tij.
“I njoh. Disa 2-3. Numri 5 është Rexhep Selimi. Numër 3, Sylejman Selimi dhe numër 2, ‘Kapuçi’ një hero i Kosovës. Po më del prej menje por na me këtë nofkë e kemi njohur të gjithë, komandant Kapuçin”, tha dëshmitari për njërën nga fotografitë.
Ai tha se Komandant Kapuçi është vrarë duke luftuar me armikun, prandaj edhe është hero dhe sipas tij të gjallët është vështirë sipas tij të jenë heronj.
Më pas, dëshmitarit iu prezantua një fotografi e dytë, e që tha se në numër 3 ishte Rexhep Selimi, ndërsa sipas tij me numër 2 mundet të jetë Abedin Rexha.
Geci tha se nuk e di se ku është realizuar fotografia, por që Rexhep Selimi i cili është i pranishëm në sallë, mund ta dijë më mirë.
Edhe në një fotografi të tretë, Geci tha se është Rexhep Selimi e që mundet me qenë edhe Abedin Rexha, por që sipas tij nuk është i sigurt.
Ndërsa, në fotografinë e katërt, dëshmitari identifikoi dy vëllezërit Jashari (Sahit dhe Musë Jasharin), ndërsa për personat tjerë ai tha se nuk po i njeh.
Në prova materiale, u pranuan të gjitha fotografitë që iu prezantuan dëshmitarit.
Me kaq përfunduan pyetjet e Prokurorisë për këtë dëshmitar, për të vazhduar më pas me mbrojtjen e Hashim Thaçit, përmes avokatit Luka Mishetiq.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, Charles Smith III, ZPS ka dorzuar një parashtrim ku ka kërkuar që t’i ndryshojë listën e provave dhe të fus tri prova të tjera që do t’i përdorë me dëshmitarin 04758 dhe gjithashtu ftoi trupin gjykues që të përdorte një kalendar të përshpejtuar.
Mbrojtja e viktimave nuk pati kundërshtime lidhur me këtë. Ndërsa, avokati i Veselit, Rodney Dixon tha se ju duhet që ta shikojnë dokumentin në mënyrë që t’i paraqesin parashtrimet e tyre.
Gjyqtari Smith urdhëroi që një gjë të tillë të bëhet pas pushimit të orës 11:00 dhe si rrjedhojë palët do t’i paraqesin parashtrimet e tyre.
Në këtë seancë, të gjithë të akuzuarit janë prezent në sallën e gjyqit.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.
Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./Betimi për Drejtësi