Ish-ushtari i UÇK-së dhe pjesëtar i LDK-së, Fadil Geci, gjatë dëshmisë së tij në Speciale ka thënë se ish-krerët e UÇK-së, që ishin prezentë në gjykatore, e kanë përçarë popullatën e atëhershme shqiptare. Ai ka falënderuar ish-pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së, Rexhep Selimin, i cili ka thënë se i vëllai i tij, Gani Geci, nuk është dashur të fajësohej për vrasjen e Abedin Rexhës. Por, ka akuzuar ish-presidentin Thaçi për shpifje.
Ish-deputeti i LDK-së, Fadil Geci, në nisje të dëshmisë së tij, në rastin më të madh të Dhomave të Specializuara, ka sqaruar për komunikatën e 59-të të UÇK-së.
Në këtë komunikatë vëllai i Fadilit, Gani Geci, ishte etiketuar si tradhtar pas vrasjes së komandantit të UÇK-së, Abedin Rexha.
Atij nga ZPS-ja iu treguan deklarata të Hashim Thaçit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit lidhur më komunikatën.
Pas kësaj Geci tha se pajtohet me një deklaratë televizive ku Rexhep Selimi kishte thënë se vëllai i tij nuk e kishte vrarë Adedin Rexhën, por ka akuzuar ish-presidentin Thaçi.
“Informacionin e kam pa bashkë me juve, ma keni dhënë deklaratën ti të Rexhep Selimit, e kam pa që ka thënë edhe në TV drejtpërdrejt se komunikatën numër 59-të e ka shkru një dashakeq, e ai është Hashim Thaçi. Ai dashakeq që i ka bë dëm Drenicës me këtë komunikatë për një interes të tij personal me i largu nga skena vëllezërit Geci sikurse e largoi Serbia familjen Jashari dhe me qenë i lirë për me vepru kah don, por ka gabu. Ka gabu shumë. Ai mentalitet ka qenë sllav e rus, e nuk e ka ditë që është Amerika e ka me marrë fund si një ditë këtu që jemi edhe kemi pa në sy dhe ka me u turpnu për këto punë që i ka ba”, tha Geci.
Ai tregoi për momente të tensionuara me pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm të UÇK-së në Llaushë.
Në shtëpinë e tij, siç tha dëshmitari, para se të shkruhej komunikata 59 kishin shkuar edhe Hashim Thaçi e Rexhep Selimi.
Sipas tij, Rexhep Selimin e kishte përzënë Gani Geci, kur i ishte prezantuar si person me autoritet. Ndërsa për Hashim Thaçin ai tha se e kishte quajtur gënjeshtar kur kishte qenë në fshatin e tij.
“Kur kam hyrë unë, tha që nuk jemi në parti, s’kemi qenë në parti. Unë i thashë: ti ke qenë një javë ditë kryetar i referendumit, kryetar i forumit rinor të LDK-së në Skenderaj. Tha kom rrejt. I thashë: Ke rrejt? Ti je rrenc, atëherë edhe sot. Çka t’flet ti rren edhe shpif. M’ka marrë për dore edhe m’ka qitë përjashtë pas asaj fjale dhe nuk e kuptojsha”, tha Geci.
Dëshmitari Fadil Geci tha se me veprime kundër pjesëtarëve të LDK-së, pjesëtarët e Shtabit të Përgjithshëm e kishin për qëllim shtrirjen e pushtetit, përderisa LDK-ja në krye me Rugovën e kishin për qëllim ta mbanin shtetin paralel.
Geci po ashtu ka akuzuar ish-krerët e UÇK-së se e kanë përçarë popullatën e atëhershme shqiptare.
Kryetari i trupit gjykues, Charles Smith, tha se dëshmia e Gecit pritet të zgjasë rreth dy ditë.
