Procesi tenderues i Këshillit Gjyqësor për furnizimin me inventar në salla të gjykimeve është përcjellë me parregullsi, ka konstatuar Zyra Kombëtare e Auditimit, në raportin për vitin 2023. Në dokument theksohet se ky tender iu dha operatorit ekonomik që ofertuan çmime jonormale të ulëta. Por, me këtë gjetje të Auditorit nuk është pajtuar kryesuesi i KGJK-së
Parregullsi në tenderin prej 500 mijë eurosh të Këshillit Gjyqësor të Kosovës (KGJK), për furnizimin me inventar për salla të gjykimeve, ka evidentuar Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) në raportin e saj për vitin 2023.
Sipas raportit, gjatë inspektimit të auditorit të jashtëm është konstatuar se Operatori Ekonomik, që është përzgjedhur fitues ka ofertuar çmime jonormale të ulëta, ndryshe prej asaj që kërkohet me rregullat e prokurimit.
“Në procedurën: ‘Furnizim me inventar për salla të gjykimeve dhe zyra të shkrimoreve për gjykata’, në vlerë indikativë 2,790 € dhe vlerë totale 500.000 €, Operatori fitues kishte ofertuar me çmime jonormalisht të ulëta në dy pozicione, si: tavolina për takime për 22 persona, me çmim 40€/copë, dhe tavolina për takime për 8 persona, me çmim prej 35€/copë”.
Raporti thekson se kjo ka ndodhur shkaku i kontrolleve të pamjaftueshme në procesin e vlerësimit të tenderëve, pasi që ofertat janë vlerësuar si total dhe jo për nëntotal dhe pozicione.
Si rrjedhojë, ZKA-ja ka rekomanduar kryesuesin e KGJK-së që të ndërmarrë veprime.
“Kryesuesi i KGJK-së duhet të sigurojë që të gjitha faturat e pranuara të paguhen brenda afatit prej 30 ditësh nga pranimi i faturës, me qëllim të menaxhimit të duhur të fondeve publike”, theksohet në raport.
Por kryesuesi i KGJK-së, Albert Zogaj, nëpërmjet një letërrekomandimi drejtuar ZKA-së, ka shprehur mospajtim me përmbajtjen e raportit.
“Nuk pajtohemi me gjetjet dhe rekomandimet. Komentet i kemi dorëzuar për përmbajtjen e Raportit të Pasqyrave Financiare Vjetore të 2023-s. Ne kemi dëshmuar drejt në këtë rast, sepse pikërisht për këto pozicione, Operatori Ekonomik ka bërë furnizimet e nevojshme sipas kërkesave të gjykatave”, thuhet në përgjigjen e KGJK-së ndaj gjetjeve të ZKA-së.
Krahas kësaj, Auditori ka evidentuar parregullsi edhe në procesin tenderues të KGJK-së për rinovimin e objektit të Gjykatës Themelore në Mitrovicë.