Deklarimet e ish-kryetarit të Asamblesë së Gjyqtarëve të EULEX-it, Malcolm Simmons, për rastet "Drenica dhe "Kleçka", EULEX-i i ka konsideruar te pamenduara, të pabazuara, të pavërteta dhe mendime personale.
Simmons para deputetëve kosovarë deklaroi se rastet në fjalë ishin turp i komunitetit ndërkombëtar, derisa EULEX-i thotë se Simmons është përfshirë në fushatë dezinformimi “në lidhje me shkeljet që pretendohet se kanë ndodhur gjatë kohës së tij në EULEX”.
“Duke e ditur se ai nuk mund të paditet për shpifje, meqë deklarata e Simmons është e mbuluar nga imuniteti i privilegjit parlamentar. Ne e shohim këtë si një përpjekje tjetër për të diskredituar Misionin nga ata që janë të interesuar të minojnë sundimin e ligjit në Kosovë si dhe të vet BE-së”, thuhet në komunikatën e EULEX-it.
“Kjo po ashtu është pasqyrim i pakënaqësisë së Simmons me rezultatin e tri hetimeve që janë kryer kundër tij nga autoritetet e BE-së në Bruksel dhe që i janë dorëzuar autoriteteve deleguese të Mbretërisë së Bashkuar (MB) për veprime të mëtejme. Simmonsi po ashtu është dukur i pakënaqur me hedhjen poshtë nga ana e gjykatës së MB të një padie civile që ai e parashtroi kundër Misionit dhe institucioneve të tjera të BE-së në vitin 2020. Thënë shkurt, ai është i pakënaqur me të gjitha procedurat juridike kundër tij.”
Derisa Simmons deklaroi të hënën se rasti "Kleçka", nuk do të duhej të shkonte asnjëherë në gjykim dhe duke përmendur se rasti kishte parregullsi, EULEX-i thotë se nëse këto do të ishin të vërteta, Simmons duhej ta kryente punën e tij si mbikëqyrës i gjyqtarëve të këtij institucioni.
“Pretendimet e Simmons për rastin “Kleçka” kundërshtohen nga realiteti. Ai pretendon se një gjyqtar i tha atij se vendi i tij i punës mund të rrezikohej nëse të pandehurit nuk dënoheshin. Megjithatë, pasi që trupi gjykues, i kryesuar nga Simmons, i liroi nga akuza të pandehurit në shtator 2013, Simmons jo vetëm që nuk e humbi punën e tij, por vazhdoi tutje duke u emëruar Kryetar i gjyqtarëve të EULEX-it një vit më vonë. Por ai ishte ai që gjykoi rastin si kryesues i trupit gjykues. Si i tillë, ai pati çdo mundësi ta shpëtonte veten e tij nëse ai nuk do të pajtohej me paraqitjen e rastit në gjykatë”, thuhet tutje nga EULEX-i.