Arbëri

Është e drejta e qytetarëve të Kosovës që në shërbim të tyre, të kenë institucione të pavarura dhe efikase të sundimit të ligjit

Teksa përgatitemi të shënojmë Ditën e Evropës, sërish nën kushtet e COVID-19, në këtë “normalitet të ri”, dëshiroj ta shfrytëzoj këtë mundësi që t’i përgëzoj popullin dhe institucionet e Kosovës për qëndrueshmërinë dhe aftësinë e tyre që pandeminë ta trajtojnë me po aq efektivitet sa të tjerët në Evropë. Gjithashtu, jam krenar që Bashkimi Evropian sërish e vërtetoi përkushtimin ndaj Kosovës, duke qenë mbështetësi më i madh edhe në luftën kundër pandemisë COVID-19.

Ashtu si në aspektet e tjera të jetës, pandemia COVID-19 ka sjellë sfida të pashembullta edhe tek institucionet e sundimit të ligjit të Kosovës. Është jetike të sigurohet që ato të funksionojnë mirë edhe nën kufizimet e pandemisë. Është e rëndësishme që t’i ruajmë vlerat dhe themelet evropiane, mbi të cilat ngrihen shoqëritë tona.

Sundimi i ligjit është një vlerë e tillë. Parimi i sundimit të ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme e demokratike, si dhe është thelbësor për sigurinë dhe sigurimin e çdo personi.

Pa siguri ligjore, bizneset lokale nuk kanë si të zhvillohen e të rriten, investitorët e huaj do të qëndrojnë larg, kurse qytetarët nuk kanë si të jetojnë të sigurt dhe në prosperitet. Nga ana tjetër, kur realizohet plotësisht, sundimi i ligjit shërben si garanci për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore dhe në fund të fundit për mirëqenien e të gjithë qytetarëve.

Këtë dëshiron të shohë në Kosovë komuniteti ndërkombëtar. Kjo është arsyeja pse jemi të përkushtuar që t’i ndihmojmë Kosovës të arrijë standardet më të mira kur flitet për sundimin e ligjit. Aktualisht, investimet e BE-së për forcimin e sundimit të ligjit në Kosovë kapin rreth 50 milionë euro, një shumë e konsiderueshme që shpresoj të sjellë përmirësime të prekshme në të ardhmen.

Në këtë kontekst, e mirëpres draftin e Strategjisë së Kosovës për Sundimin e Ligjit dhe Planit të Veprimit, që rrjedhin nga Rishikimi Funksional i Sektorit të Sundimit të Ligjit, i kryer që nga viti 2017 me mbështetjen e plotë të BE-së dhe partnerëve të tjerë ndërkombëtarë. Bashkë me partnerët, BE-ja ka siguruar reagime ndaj të dy dokumenteve, duke avokuar për theksim më të fortë të barazisë gjinore, për zgjidhje më të mira për adresimin e pasojave të pandemisë, si dhe për trajtimin e mangësive në zbatimin e ligjeve, veçanërisht në fushën e drejtësisë penale.

Besoj se këto dokumente janë hapa vendimtarë drejt një qasjeje të unifikuar për adresimin e sfidave të sektorit të sundimit të ligjit në Kosovë. Strategjia paraqet veprime konkrete që synojnë rritjen e efektshmërisë së mekanizmit kundër korrupsionit, forcimin e gjyqësorit dhe prokurorisë, përmirësimin e qasjes në drejtësi, si dhe reformimin e Ministrisë së Drejtësisë në funksion të kërkesave të integrimit në BE. Shpresoj që komentet tona ta mbështesin finalizimin në kohë të draft-Strategjisë dhe Planit të Veprimit. Ne jemi të gatshëm ta mbështesim zbatimin e tyre.

Llogaridhënia dhe integriteti i aktorëve të ndryshëm të sundimit të ligjit janë vendimtare për të siguruar funksionimin e duhur të institucioneve dhe rritjen e besimit të publikut në to. Janë propozuar një numër masash në këtë drejtim, duke përfshirë vlerësimin e performancës, masat disiplinore, kontrollin e historikut dhe integritetit. Sipas meje, zbatimi sistematik i masave të tilla mund të çojë në rezultate të konsiderueshme pozitive, pa e penguar efikasitetin e sektorit të drejtësisë. Për dallim, do të këshilloja që të mos bëhet një rivlerësim i vetëm dhe i plotë i personelit të sundimit të ligjit në kontekstin aktual.

E mirëpres fokusin e Qeverisë në sundimin e ligjit dhe përkushtimin ndaj luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Ne jemi avokues të fuqishëm të përmirësimit të kornizës institucionale dhe ligjore për parandalimin e korrupsionit përmes forcimit të mandatit dhe kapaciteteve të Agjencisë Kundër Korrupsionit, si dhe përmes përmirësimit të sistemit për deklarimin e pasurive.

Ne marrim shënim për aprovimin nga Qeveria të një koncept-dokumenti për konfiskimin e pasurisë së fituar në mënyrë të pajustifikueshme (d.m.th. konfiskim civil), bazuar në të cilin do të hartohet një ligj. Opsionet e reformës të parapara nga dokumenti do të duhet të respektojnë parimet e mishëruara në Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të individëve. Po aq e rëndësishme është që konfiskimi civil nuk do të duhej ta zëvendësonte ose minonte zbatimin e kornizës ekzistuese ligjore për konfiskimin penal, e cila është solide dhe në përputhje me standardet ndërkombëtare dhe evropiane. Autoritetet do të duhej të fokusoheshin në zbatimin e plotë të kësaj kornize, duke e rritur sasinë e pasurive të konfiskuara me vendim të formës së prerë përmes procedurës penale.

Sigurimi i ndihmës që Kosova të arrijë përmirësime të prekshme në sundimin e ligjit është prioriteti im, diçka që e kam afër zemre prejse kam ardhur në Kosovë, në shtator të vitit të shkuar. Do të vazhdoj ta mbështes këtë sektor gjatë gjithë mandatit tim, sepse besoj se është e drejta e qytetarëve të Kosovës të presin që në shërbim të tyre të kenë institucione të pavarura dhe efikase të sundimit të ligjit.

Unë besoj se qytetarët kanë çdo të drejtë që nga këto institucione të presin të sigurojnë të drejtat e tyre civile dhe t’i luftojnë korrupsionin dhe krimin e organizuar, sepse të gjithë e dimë se këto fenomene e thellojnë pabarazinë ekonomike dhe sociale, por edhe i privojnë posaçërisht gjeneratat e reja nga mundësitë për një të ardhme më të mirë.

Të rinjtë e Kosovës meritojnë çdo mundësi, sikurse bashkëmoshatarët e tyre në pjesën tjetër të Evropës. Që kjo të bëhet realitet, është e domosdoshme që në shërbim të mbarë Kosovës të vendoset sundim i fortë i ligjit.

Gëzuar Ditën e Evropës!

(Autori është udhëheqës i Zyrës së BE-së/Përfaqësuesi i Posaçëm i BE-së në Kosovë)

Përktheu: Nita Lleshi