Arbëri

Escobari dhe Lajçaku të martën takohen edhe me liderët opozitarë

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe ai i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, gjatë qëndrimit të tyre dyditor në Kosovë, do të takohen edhe me liderët e opozitës.

KOHA ka mësuar se që të tre liderët opozitarë, ai i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku dhe ai i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, do t’i përgjigjen pozitivisht ftesave për takim.

Takimet pritet të zhvillohen gjatë paradites të së martës në Zyrën e Bashkimit Evropian në Prishtinë.

Takimi i parë i Escobarit dhe Lajçakut të hënën në Kosovë, do të jetë sot me kryeministrin Albin Kurti, nga ora 20:00 në ndërtesën e Qeverisë.

Ndërsa, të martën në mëngjes emisarët e SHBA-së dhe BE-së do të priten nga presidentja Vjosa Osmani.

Pas vizitës së tyre në Kosovë, Escobari dhe Lajçaku do të udhëtojnë për në Serbi.