Arbëri

Erion Veliaj mbetet në burg

Erion Veliaj

Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka vendosur që t’ia vazhdojë masën e arrestit në burg kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliajt, ndërsa bashkëshortes së tij, Ajola Xoxës, i është ndryshuar masa nga arresti shtëpiak në detyrim-paraqitje dy herë në muaj dhe i është marrë pasaporta.

“Zëvendësimin e masës së sigurimit personal ‘Arrest në shtëpi’ caktuar ndaj personit nën hetim Ajola Xoxa me vendimin Nr. 7, datë 09.02.2025 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me masën e sigurimit personal ‘Ndalimi i daljes jashtë shtetit’ dhe ‘Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore’ parashikuar nga nenet 233 dhe 234 i K.Pr.Penale”, thuhet në njoftimin e gjykatës.

Sipas SPAK-ut, Veliaj akuzohet për “korrupsion pasiv”, “korrupsion aktiv”, “pastrim të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”, “refuzim për deklarim ose mosdeklarim i pasurisë ose deklarim i rremë” dhe “deklarata të rreme”. Mbi të rëndojnë edhe disa vepra të tjera penale.

SPAK-u tha se Veliaj dyshohet se ka miratuar shpërndarjen e fondeve publike si leje ndërtimi të subjekte tregtare të lidhura ngushtë me të.

Për disa prej veprave dyshohet edhe bashkëshortja e tij, Arjola Xoxa.

Një njoftimin zyrtar të SPAK, nga transaksionet dhe pagesat që shkonin nga Veliaj te Xoxa përmenden edhe shpenzimet e kësaj të fundit për veshje dhe bizhuteri.

SPAK-u thotë se Xoxa për një periudhë kohore prej rreth 4 vitesh, ka bërë blerje online të cilat konsistojnë në veshje, bizhuteri etj, në masën 86,721,175 lekë, shpenzime të cilat nuk rezultojnë të deklaruara./ TCH