Arbëri

Erërat dhe shiu shkaktojnë rreth 1 milion euro dëm në serrat e Mamushës

Rreth 1 milion euro është vlerësimi fillestar i dëmeve që kanë shkaktuar erërat dhe shiu në Komunën e Mamushës gjatë të premtes. Drejtori i Bujqësisë në këtë komunë, Rustu Mazrek, ka thënë se shumë serra janë dëmtuar dhe se për këtë shkak bujqit e Mamushës janë detyruar të ndalonin aktivitetet e mbjelljes verore. Mot i ngjashëm ka mbretëruar edhe në qytete të tjera të Kosovës

Erërat e forta dhe reshjet e pandalshme të shiut kanë shkaktuar dëme milionëshe në serrat e Komunës së Mamushës gjatë ditës së premte.

Si pasojë e dëmeve të mëdha, bujqit në Mamushë janë detyruar që të ndalonin të mbjellat.

Rustu Mazrek, drejtor i Bujqësisë në këtë komunë, ka thënë se, sipas vlerësimeve fillestare, dëmi ka arritur në gati 1 milion euro dhe se për këtë situatë është njoftuar edhe Qeveria.

“Ne menjëherë sot kemi themeluar një komision, i cili do të merret me këto dëme. Do të bëjmë vlerësime e raporte e më pas do të dihet shuma e saktë e dëmit. Besoj javën tjetër. Sot kryeministri Albin Kurti ishte në Mamushë për përurimin e një QMFK-je. Ne ia thamë gojarisht shqetësimet tona”, ka bërë të ditur Mazrek.

Mot me erëra dhe reshje të shiut pritet të jetë edhe gjatë mbrëmjes në kryeqytet.

Nëpërmjet një njoftimi në faqen zyrtare të Komunës së Prishtinës, qytetarëve u është bërë apel për kujdes të shtuar. 

“Duke pasur parasysh parashikimet e motit për orët në vijim, ju njoftojmë se priten erëra të forta të shoqëruara me reshje shiu, ndërsa në orët e vona të natës do të ketë edhe reshje bore. Ju lusim të tregoni kujdes të shtuar, reduktoni lëvizjet e panevojshme në kushte të motit të rënduar,  kujdesuni për sigurinë në trafik dhe shmangni parkimin pranë pemëve ose objekteve të rrezikshme”, kanë bërë të ditur në Komunën e Prishtinës.

Situatë e njëjtë me motin është edhe në qytetin e Mitrovicës, ku në bazë të videove të siguruara nga KOHA, disa rrugë të qytetit janë vërshuar nga uji si pasojë e motit të lig.