Kosova ende nuk e ka të qartë si do t’u ofrojë qytetarëve dhe bizneseve siguri energjetike, por ekspertët e fushave të ndryshme alarmojnë për pasojat në shëndet dhe mjedis prej varësisë prej 85 për qind nga prodhimi i energjisë nga qymyri. Këto shqetësime janë ngritur edhe gjatë debatit të simuluar në Shqipëri në ditën e përmbylljes së Shkollës së Gjelbër pas gjashtë muajsh me ligjërata në Prishtinë, nën organizimin e përbashkët të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Institutit Riinvest
Kosova vazhdon të jetë e varur nga prodhimi i energjisë prej qymyrit. Me gjithë shtimin e kapaciteteve, prodhimi i energjisë së ripërtëritshme është larg arritjes së caqeve të përcaktuara për të arritur shkallën prej 30 për qind të pjesëmarrjes deri në vitin 2030, ani pse potencialet për investime në këtë fushë konsiderohen të mëdha.
Kosova ende nuk e ka miratuar strategjinë e energjisë, e cila pritet të vendosë caqet e burimeve të ripërtëritshme dhe të rrisë efiçiencën në industri dhe amvisëri. Qeveria nuk ka treguar se çfarë saktësisht do të përmbajë kjo strategji e as nuk dihet nëse do të ketë rindërtim të “Kosovës A”, sikurse kishte deklaruar Bordi i KEK-ut kohë më parë.
Pasojat e energjisë nga qymyri
Por, derisa Kosova ende nuk e ka të qartë si do t’u ofrojë qytetarëve dhe bizneseve siguri energjetike, ekspertët e fushave të ndryshme alarmojnë për pasojat në shëndet dhe mjedis prej varësisë prej 85 për qind nga prodhimi i energjisë nga qymyri.
Këto shqetësime janë ngritur edhe gjatë debatit të simuluar në Shqipëri në ditën e përmbylljes së Shkollës së Gjelbër pas gjashtë muajsh ligjërata, nën organizimin e përbashkët të Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur (KFOS) dhe Institutit Riinvest.
“Neve na e ka marrë mendja se duhet të shkojmë prapa atyre paradigmave zhvillimore, që tregohet se janë, jo vetëm të kohës, por dominojnë kohën e sotme”, ka thënë Luan Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS-it. “E njëra nga këto paradigma është faktikisht agjenda e gjelbër, apo ajo që e quajnë ‘Europe Green Deal’, apo Marrëveshja e Gjelbër Evropian”. Ai ka thënë se donatorët e huaj i kushtëzojnë donacionet e tyre me respektimin e kushteve mjedisore, duke spikatur kështu rëndësinë që i kushtohet të ardhmes evropiane me energji të pastër.
Gjatë rreth 20 ligjëratave, më shumë se 30 pjesëmarrës kanë trajtuar çështje mjedisore dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik në kontekst të agjendës së gjelbër
Alban Hashani, drejtor i Institutit Riinvest, ka thënë se Shkolla e Gjelbër është themeluar me qëllim që të avancohen diskutimet për kalimin drejt energjisë së ripërtëritshme. “Shkolla ka për qëllim që të rrisë numrin e njerëzve që kanë njohuri lidhur me këto tema...”, ka theksuar Hashani në Durrës pas debatit të pjesëmarrësve të shkollës në debatin para ndarjes së certifikatave. “Dhe në anën tjetër të krijojë një platformë për avokim dhe kërkime në këto fusha”.
Shkolla e Gjelbër ka organizuar ligjërata me profesorë shqiptarë e ndërkombëtarë për të kanalizuar njohuri për çështje të ndërlidhura përmes programit edukativ me karakter edukativ, të njohur si “Shkolla e gjelbër”. Në debatin e fundit në brigjet e qytetit shqiptar, pjesëmarrës ka qenë edhe profesori Muhamet Mustafa, i cili u ka kërkuar pjesëmarrësve të jenë sa më aktivë në promovimin e leksioneve të nxjerra gjatë ligjëratave në Prishtinë.
Pjesëmarrësit e shkollës janë pjesë e institucioneve publike, organizatave të ndryshme qeveritare e joqeveritare, por edhe nga bota akademike dhe mediatike. Por, ata nuk i kanë përfaqësuar institucionet e tyre.

Përplasja e simuluar
Vjollca Jashanica, pjesëmarrëse e Shkollës së Gjelbër, ka thënë se ka mësuar shumë për burimet energjetike dhe ndikimin e tyre pozitiv e negativ në shoqëri dhe mjedis.
Të ndarë në dy grupe, me njërin që prodhimin e energjisë me qymyr dhe tjetrin për energji të ripërtëritshme, pjesëmarrësit kanë improvizuar, gjatë debatit të fundjavës së kaluar në Durrës, për burimet dhe kufizimet që ka Kosova në fushën e energjisë.
“Ne nuk duhet të jemi në linjë me ato të vendeve të Lindjes së Mesme, ku kemi resurse, por nuk kemi zhvillim, por ne mund t’i shohim vendet si Japonia, Evropa, ku edhe pse ka pak resurse, zhvillimi është më i qëndrueshëm”, ka thënë në hyrje të justifikimit Valon Raka, përfaqësues i grupit për energji të gjelbër.
Rrahman Përvetica, lideri i grupit për energji nga qymyri, megjithëse ka pranuar nevojën për më shumë burime të pastra, ka mbrojtur qëndrimin për prodhim të energjisë nga thëngjilli, që emeton shkallë të lartë të dyoksidit të karbonit. Ai i sheh si mundësi zhvillimi kapacitetet e reja të bazuara në prodhim të energjisë nga uji e era.
Pas paraqitjes së argumenteve për e kundër nga dy liderët e grupeve, nis debati me përfshirje të anëtarëve të tjerë.
Visar Bejta, nga grupi që mbron prodhimin nga thëngjilli, ka spikatur domodoshmërinë e sigurimit të energjisë për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. “Energjia është siguri kombëtare”, ka thënë ai në debatin e simuluar, derisa grupi për energji të pastër ka spikatur se si kancelari gjerman, Olaf Sholtz, ka kërkuar pas takimit me kryeministrin Albin Kurti që Kosova të punojë më shumë për energji të pastër sipas standardeve evropiane.

Vdekjet e shkaktuara nga ndotja
Pjesëmarrësit e tjerë spikasin ndikimin e ndotjes së termocentraleve në shëndetin e qytetarëve, sidomos të zonave përreth tyre.
“Sipas statistikave që janë bërë, vetëm nga ndotja e ajrit që vjen nga qymyri në Kosovë vdesin 370 njerëz, dhe këtu hyjnë vdekjet e të gjitha moshave, pa përfshirë ndotjen që vjen nga qymyri që lidhet me kontaminimin e tokës dhe të ujërave”, ka thënë Sidorela Buzhala, pjesë e grupit për energji të gjelbër.
Pa plan konkret për fushën e energjisë, kjo qeveri e ka marrë edhe mandatin një vit më parë. Në programin e saj qeveritar, energjia ishte përmendur vetëm në dy paragrafë, duke premtuar hartimin e strategjisë e investimet në burimet e ripërtëritshme.
Kriza energjetike që kaploi Evropën në fund të vitit të kaluar, e që përcolli edhe këtë fillimvit, pati ndikim edhe në Kosovë. Ndikimi ishte më i theksuar pas rënies nga funksioni i Bllokut B2 të “Kosovës B”. Përkundër milionave të shpenzuara në këto termocentrale, kapacitetet e tyre janë të stërvjetruara dhe shkaktojnë ndotje për mjedisin.
Xhavit Drenori, nga grupi për energji të gjelbër, ka thënë se Bashkimi Evropian nuk do të lëshojë pe përkitazi me standardet e veta për ndikimin e gazrave serrë në ngrohjen globale për vendet që aspirojnë anëtarësimin, si Kosova.
“Prandaj, nëse ne investojmë në termocentrale, do të vijmë te një ditë, kur nuk është larg ajo ditë, kur ne do të detyrohemi t’i mbyllim”, ka thënë Drenori.

Kushtet evropiane
“Jemi në një pozicion kur duam të shkojmë në Evropë në njërën anë, Evropa, në anën tjetër, ka shumë restriksione për ata që duan të vazhdojnë të investojnë në qymyr dhe na duhet një zgjidhje”, ka thënë Shllaku, drejtor ekzekutiv i KFOS-it. “Energjia është bazë dhe siguria e energjisë është bazë e zhvillimit të një shteti, më shumë se kurrë më parë, sidomos pas zhvillimit të luftës së Ukrainës”.
Kosova për herë të parë pritet që të bëhet me Ligj për burime të ripërtëritshme të energjisë. Bazuar në koncept-dokumentin e Ministrisë së Ekonomisë për burime të ripërtëritshme, investitorët e kësaj fushe do t’u nënshtrohen ankandeve për përfitim të tarifave.
Muaj parë është finalizuar parku i energjisë me erë në Shalë të Bajgorës, i cili përbëhet nga 27 turbina me kapacitet të tërësishëm prej 105 megavatesh. Funksional është edhe është centrali i erës në Kikë të Anamoravës me 9 turbina me kapacitet prej 36 megavatesh. Parqe të energjisë me erë mund të ndërtohen edhe në Çyçavicë, në Zatriq, në Budakovë dhe në Kozhicë.
Në Kosovë janë të instaluara panele solare me një kapacitet prej 10 për megavatësh, ndërsa sa u përket hidrocentraleve ato janë rreth 80 megavatë. Për këto të fundit ka pasur reagime të shumta shkaku i dëmeve që u kanë shkaktuar lumenjve dhe funksionimit të tyre pa leje mjedisore.
Bejta ka thënë se Kosova duhet të ndjekë një strategji të qartë që krahas prodhimit të energjisë nga qymyri me respektim të kufizimeve të ndotjes, duhet të investojë në burime të ripërtëritshme energjetike pa rrezikuar sigurinë energjetike për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik. “Ne duhet t’i optimizojmë burimet derisa të vijmë në një pikë kur mund të heqim dorë prej qymyrit”, ka thënë Bejta, grupi i të cilit humbi debatin e simuluar kundrejt mbrojtësve të energjisë së pastër me 0.5 për qind dallim.
Shllaku thotë se qëllimi kryesor i Shkollës së Gjelbër është të shërbejë si platformë për diskutime, hulumtime dhe zgjidhje mjedisore për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik të Kosovës, duke i mbrojtur njëherësh shëndetin dhe mjedisin.
