Ministria e Arsimit dhe Komisioni Qendror i Zgjedhjeve nuk janë dakorduar për ndalimin e tubimeve të partive politike në hapësirat shkollore. MASHTI kërkon nga KQZ-ja të marrë një vendim të tillë, e nga KQZ-ja thonë se është jashtë kompetencës së tyre
Ende nuk është marrë ndonjë vendim për ndalimin e tubimeve të partive politike nëpër shkolla. Ministria e Arsimit ka kërkuar nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve që të marrë një vendim për këtë çështje, por nga ky institucion thonë që nuk është në kompetencë të tyre.
“Gjatë ditës së sotme Komisioni Qendror i Zgjedhjeve i ka kthyer një përgjigje Ministrisë së Arsimit përmes së cilës i jemi përgjigjur në shkresën që e kemi pranuar para disa ditëve. Në këtë përgjigje që i kemi kthyer Ministrisë së Arsimit kemi shpjeguar se KQZ-ja nuk mund të marrë një vendim për të anuluar tubimet të cilat zhvillohen në shkolla, pra është fjala për tubimet e partive politike. Ne kemi theksuar në këtë shkresë që është Ministria e Arsimit ajo që mund të nxjerrë një vendim të tillë”, ka sqaruar zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. Tutje Elezi thotë se KQZ-ja ka propozuar që të nënshkruhet një memorandum që do të rregullonte çështjen e shfrytëzimit të objekteve shkollore për fushatë.
“Në këtë shkresë ne kemi përmendur edhe idenë që MASHTI dhe KQZ-ja të nënshkruajnë një memorandum bashkëpunimi, përmes të cilit do të specifikoheshin aspektet administrative, organizative dhe menaxheriale ndërshtetërore sa u përket shkollave të cilat na shërbejnë edhe si qendra votimi”, thotë Elezi.
Mirëpo, MASHTI nuk ka pranuar gjatë së martës një shkresë të tillë nga KQZ-ja. Në përgjigjet për KOHËN, nga ky institucion thonë që kompetencë për ndalimin e fushatës në objektet shkollore ka Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.
“Përmes një shkrese të dërguar javën e kaluar, MASHTI e ka njoftuar KQZ-në se në tërë Republikën e Kosovës ka nisur viti i ri shkollor dhe se hapësirat e shkollës duhet të mbesin të sigurta dhe në shfrytëzim vetëm të procesit mësimor. Me këtë rast, Ministria i ka kërkuar KQZ-së që konform Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme, nenit 64, paragrafi 2 dhe Ligjit për parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID-19 në territorin e Republikës së Kosovës, neni 12, të nxjerrë akt juridik për ndalimin e shfrytëzimit të hapësirës së brendshme të shkollave nga partitë politike për aktivitete të fushatës”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t.
Rreth një javë më parë kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, kishte njoftuar se tubimet e partive politike në hapësirat e brendshme të shkollave nuk do të lejohen, meqë zyrtarisht viti shkollor ka filluar më 27 shtator. Fushata për zgjedhjet lokale do të zgjasë deri më 15 tetor.