Arbëri

Ende asnjë pistë për zhdukjen e 28-vjeçarit australian në Valbonë

Cameron Twiss

Cameron Twiss

Ende nuk ka asnjë pistë mbi zhdukjen e 28-vjeçarit australian Cameron Twiss në Valbonë të Shqipërisë.

Twiss ishte nisur në një shteg të njohur ecjeje që lidh Valbonën me fshatin Theth më datë 13 tetor. Që atëherë, nuk ka asnjë informacion për të.

“Daily Mail” shkruan se autoritetet shqiptare po punojnë për gjetjen e tij. Vëllai i Cameronit është nisur nga Australia për në Shqipëri.

Ecja nga Valbona në Theth është një rrugë 17-kilometërshe që përfshin kalimin malor përmes një zone të largët të Alpeve Shqiptare ku nuk ka rrugë. Rekomandohet të kesh udhërrëfyes lokal, por Twissi kishte ecur i vetëm. Udhëtimi zgjat rreth 10 orë.

Shërbimi i Kërkimit të Shpëtimit Malor të Kosovës dhe Shërbimi i Kërkimit të Shpëtimit Malor të Shqipërisë kanë kryer kërkime në këmbë dhe me dron. Por pa rezultate.

Këto shërbime kishin pezulluar kërkimet më 2 nëntor, në pritje të informacioneve të reja.