Vizitën në Ballkanin Perëndimor i dërguari i posaçëm i SHBA-së për këtë rajon, Aleksader Sasha Kasanof, të enjten do ta vazhdojë në Kosovë. Paraprakisht ai ka qëndruar në Serbi e Bosnjë-Hercegovinë. Kasanof ka zëvendësuar Gabriel Escobarin në këtë detyrë. E emisari i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, pritet që në Vjenë të zhvillojë një takim me zv.kryeministrin Besnik Bislimi pas paralajmërimit të tij se po punon në takimin e ardhshëm të kryenegociatorëve.
Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Aleksander Kasanof, të enjten do të qëndrojë në Kosovë.
Vizitën e tij e ka konfirmuar kryeministri Albin Kurti në konferencën për media pas mbledhjes së Qeverisë, të mërkurën.
“Do ta mirëpresim zyrtarin e lartë të Departamentit Amerikan të Shtetit këtu në Prishtinë. Ju e dini se ai është në vend të Gabriel Escobar dhe tash edhe me Alexandër Kasanof besoj se do të vazhdojmë bashkëpunimin tonë. Se çfarë mund të presim prej tij, besoj se duhet të kemi durim për 24 orë”, ka deklaruar Kurti.
Gjatë vizitës në Kosovë, emisari amerikan do të takohet me presidenten Vjosa Osmani e përfaqësues të partive politike në vend.
Të mërkurën, Kasanof ka qëndruar në Serbi, ku e ka takuar presidentin Aleksadër Vuçiq.
Pas takimit Vuçiq ka shkruar se për dialog konstruktiv nevojiten të dyja palët dhe se Serbia mbetet e përkushtuar për zgjidhjen paqësore të problemeve, “pavarësisht përshkallëzimeve të panevojshme të tensioneve nga njëra anë”.
“Para së gjithash, kam theksuar situatën jashtëzakonisht të vështirë dhe të ndërlikuar në Kosovë dhe kam treguar për kushtet pothuajse të pamundura në të cilat jeton populli serb”, ka shkruar Vuçiq.
Paraprakisht emisari Kasanof ka qëndruar në Bosnjë-Hercegovinë, derisa vizita në Kosovë është e para si emisar i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor.
Kasanof është takuar me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani dhe kryeministrin e vendit, Albin Kurti, në margjina të samiteve të mbajtura në Pragë dhe Nju-Jork.
E në konferencën për media u konfirmua edhe një takim tjetër.
Kësaj radhe ai i emisarit të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajcak, me zv.kryeministrin Besnik Bislimi që pritet të zhvillohet në Vjenë.
Në fillim të kësaj jave, emisari Lajcak ka paralajmëruar aranzhimin e një takimi të radhës mes kryenegociatorëve Besnik Bislimi e Petar Petkoviq.
Kasanof mori postin e zëvendësit të ndihmësit të sekretarit për Ballkanin Perëndimor më 19 korrik të këtij viti.
Paraprakisht, në këtë post ishte Gabriel Escobar, mandati i të cilit përfundoi në maj.