Arbëri

Emisari i Francës nuk tregon nëse shteti i tij përkrah heqjen e masave

I dërguari i Posaçëm i Francës për Ballkanin Perëndimor, Rene Troccaz, i është shmangur pyetjes në lidhje me heqjen e masave ndëshkuese të Bashkimit Evropian ndaj Kosovës.

I pyetur nëse Franca përkrah heqjen e tyre, Troccaz u shpreh se i është krijuar përshtypja se diskutimi në Konferencën e Sigurisë në Beograd, është duke u bërë për Kosovën dhe Serbinë.

Në fakt, atij të martën, në ditën e dytë të kësaj konference, iu bënë vetëm dy pyetje për çështjet që i prekin këto dy shtete.

Në këtë drejtim, ai u ndihmua edhe nga moderatori i diskutimit, ish-ushtruesi i detyrës së ndihmëssekretarit të Shtetit për Evropën dhe Euroazinë, Philip Reeker.

“Kam përshtypjen që është panel…Ky nuk është një panel mes Francës, Kosovës dhe Serbisë”.

Paraprakisht, emisari francez duke folur për dialogun Kosovë–Serbi, ka kërkuar që të dyja palët të përmbahen nga veprimet e njëanshme. 

Tha se marrëveshja e arritur vitin e shkuar është korniza, brenda së cilës duhet lëvizur para të dyja shtetet.

“Çfarë duhet të themi është që pikërisht siç e kam thënë më herët, për ne, qëllimi dhe përgjigjja për këto probleme është integrimi në BE. Ne duhet të kemi progres në dialog brenda kësaj kornize, të lehtësuar nga BE-ja. E dyta, duhet që të përmbahemi nga çfarëdo mase e njëanshme dhe e treta, është që duhet sigurisht të ndihmojmë të dyja palët që të gjejnë mënyrat për një marrëveshje të një zgjidhjeje që nuk është e lehtë. Por kjo është çfarë kemi e ku jemi, ne nuk duhet të largohemi nga kjo rrugë e nga kjo kornizë. Kjo është përgjigjja kryesore”, theksoi Troccaz. 

I dërguari i Francës për Ballkanin Perëndimor, deklaratat i bëri duke qenë pjesë e panelit të diskutimit në kuadër të Konferencës së Sigurisë në Beograd, që nisi të hënën e do të përfundojë të mërkurën.