Strategji të reja është paralajmëruar se do të aplikohen në dialogun Kosovë - Serbi. Në Amerikë, një diskutim për to është zhvilluar mes ndihmëssekretarit amerikan, James O`Brien, e dy emisarëve në largim, ai i SHBA-së, Gabriel Escobar, dhe i BE-së, Miroslav Lajcak. Asnjëri nga ta nuk ka zbuluar ndonjë hollësi
Në prag të largimit nga detyra, emisarë të SHBA-së e të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor u mblodhën për të hartuar strategjinë e ecjes para me marrëveshjen e dakorduar mes Kosovës dhe Serbisë një vit më parë.
Nikoqiri i takimit të së mërkurës mbrëma me emisarët Miroslav Lajcak e Gabriel Escobar, ndihmëssekretari amerikan i shtetit, Jim O`Brien, ka thënë se SHBA-ja mbështet dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore e produktive.
“Diskutime të rëndësishme me zëvendësndihmëssekretarin Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së, Miroslav Lajçak. Ne koordinuam strategjitë për të çuar Kosovën dhe Serbinë përpara në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. SHBA mbështet fuqishëm dialogun si rrugë drejt marrëdhënieve paqësore dhe produktive”, ka shkruar në rrjetin social “X”, O’Brien.
E sipas Lajçakut, rruga përpara në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë e çështjet e tjera në Ballkanin Perëndimor ishin temat e diskutimit me O`Brienin e Escobarin.
“Kënaqësi të takoj ndihmëssekretarin Jim O`Brien dhe zëvendësndihmëssekretarin Escobar në Uashington sot, për të diskutuar rrugën përpara në dialog dhe çështje të tjera rajonale në Ballkanin Perëndimor. Rikonfirmuam bashkëpunimin tonë të shkëlqyer BE-SHBA”, ka shkruar Lajçak.
Gabriel Escobar nuk shpalosi hollësi nga ky diskutim, por në një audio-konferencë me gazetarët të mërkurën ka deklaruar se ka pritur më shumë përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë. Ka përmendur edhe çështjen e dinarit.
“Do të kemi një diskutim rreth vendimit për dinarin e Kosovës, dhe se si do të vazhdojmë të ecim drejt krijimit të një procesi transparent, elektronik të sektorit privat për t'u lejuar njerëzve që kanë të drejtën e përfitimeve nga Serbia t'i marrin ato në Kosovë”, ka thënë ai.
Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë që nga viti i shkuar është zhvilluar në nivel të kryenegociatorëve. Një takim mes kryeministrit Albin Kurti e presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, ka kohë që është paralajmëruar për pjesën e parë të këtij viti, por deri më tash nuk ka asgjë zyrtare.
Dy emisarët do të lirohen nga detyrat e tyre së shpejti.
Departamenti amerikan i Shtetit ka paralajmëruar se Escobar së shpejti do të marrë detyrë të re, derisa për pasardhësin e Lajçakut si emisar pritet të vendoset pas zgjedhjeve evropiane. Kandidat është ish-presidenti i Sllovenisë, Borut Pahor.