Arbëri

Emini për mundësinë e kthimit të Trumpit: Do të kishte ashpërsim të qasjes ndaj Kosovës

Donika Emini - njohëse e politikës së jashtme

Njohësja e çështjeve të politikës së jashtme, Donika Emini, ka deklaruar se në rast se do të kthehej Donald Trump në krye të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për Kosovën do të kishte ashpërsim të qasjes, duke u shprehur se Kosova do të kishte trajtim ndryshe.

Ajo ka thënë të hënën në “Interaktiv” të KTV-së se ka kaluar faza kur flitet për demokraci, e sipas saj, kjo po vërehet edhe në Evropë, duke u shprehur se lufta në Ukrainë do të determinojë të ardhmen.

“Nuk dihet nëse do të kthehet administrata Trump. Komunikimi gjatë periudhës së Trumpit ka qenë mënyrë jokonvencionale, jo vetëm me Kosovën por edhe me partnerë të tjerë. Por, në linja politike s’ka ndryshuar asgjë, pasi ka pasur thirrje edhe në SHBA dhe ka pasur vazhdimësi që administrata Biden e ka përcjell”, ka thënë Emini.

Sipas saj, në qeverisjen e Bidenit, çështjet e Evropës janë trajtuar nga vendet evropiane, ndërsa nën udhëheqjen e Trumpit ka pasur ndryshim të qasjes.

“Nëse ka rikthim potencial të Trumpit, do të ketë ashpërsim të qasjes. Kosova do të ketë trajtim ndryshe...Ne po flasim për sigurinë në Evropë, lufta në Ukrainë do ta determinojë të ardhmen dhe duhet të mësohemi në rrethana të reja që s’janë të favorshme për Kosovën”, ka shtuar ajo.

Emini ka potencuar se procesi i dialogut në Bruksel është komplikuar, pasi tha se as vendet e BE-së “s’po mund ta konfirmojnë nëse është tërhequr letra e Bërnabiqit”.

“Kemi arritur në periudhën kur s’ka qartësi dhe ka hezitim nga Kurti. Ka pasur edhe gabime në hapa, sepse çka është kërkuar për Këshillin e Evropës ka qenë të dërgohet një draft në Gjykatën Kushtetuese. Është dashur të fillohet një proces për Asociacionin, u hartua një statut në Bruksel nga pamundësia për t’u hartua në Kosovë”, është shprehur ajo.

Njohësja e politikës së jashtme ka shtuar se kryeministri Albin Kurti do të duhej të ishte më fleksibil “dhe Kosova të kishte një pozitë më të mirë sesa që ka”.

“Demokracia fatkeqësisht s’është më në trend si në vitet e ’90-ta. BE-ja udhëhiqet nga liderë si Orbani...Ne po shihemi më problematikë sesa Serbia e kjo është e pakuptimtë. Destabiliteti në veri është parë si destabilitet për rajonin. O’Brien foli për Kosovën e Serbinë. Ai nuk flet për Kosovën e Serbinë gati hiç pasi ka buxhetin dhe portfolion për Ukrainën”, ka deklaruar ajo.

Emini tutje ka theksuar se deri pas zgjedhjeve të shkurtit nuk pret të ketë asnjë lëvizje në procesin e dialogut me Serbinë.