Njohësja e çështjeve të politikës së jashtme, Donika Emini, ka deklaruar se për kryeministrin në largim, Albin Kurti, është strategjike të shkojë në opozitë për rreth tetë muaj.
Kjo sipas saj, pasi pas rreth një viti, ulëset që i zë Lëvizja Vetëvendosje në Kuvend, do të nevojiten për ta votuar Presidentin.
“Për Kurtin është shumë strategjike edhe të shkojë në opozitë për diku 8 muaj, sepse është rikalibrim politik, dihet se e ka siguresën e ulëseve në Parlament, kushdo që do ta formojë Qeverinë, ato ulëse do t’u duhen për Presidentin dhe pastaj mund ta shohim VV-në të rikthyer duke sjellë zgjedhjet e parakohshme”, ka thënë ajo të mërkurën në “Interaktiv” të KTV-së.
Ajo tutje ka thënë se do të ishte vetëvrasje politike për Lidhjen Demokratike të Kosovës në rast se do të formonte koalicion qeverisës me Vetëvendosjen.
“LDK-së do t’i kushtonte shumë që të bëjë një koalicion të tillë (v.j. me Lëvizjen Vetëvendosje) që nuk do të zgjaste as tetë muaj dhe vetëm do të ishte vetëvrasje politike”, ka thënë ajo.
Emini ka konsideruar lëshimet e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve sa i përket numërimit të votave janë të papranueshme.
“Shije të keqe ka lënë KQZ-ja dhe jo vetëm për uebfaqen, sepse uebfaqja është teknologji dhe mund aty për aty të dështojë. Fakti që procesi i numërimit po vazhdon dhe tani ka filluar veç të kontestohet edhe procesi i numërimit që e delegjitimon komplet edhe procesin e votimit si të tillë ka lënë shije shumë të keqe. KQZ-ja ka qenë institucion që ka menaxhuar dhe administruar zgjedhje me shumë sukses, këtë vit dhe këto zgjedhje është e papranueshme të kemi lëshime të tilla”, ka thënë ajo.
Derisa ka folur për krizat politike, ajo ka vlerësuar se presidenti amerikan, Donald Trump, “nuk e bën hesap Brukselin”.
“Kriza politike që mund të zgjasë rreth një vit na kushton shumë, sepse rrethanat gjeopolitike janë duke ndryshuar në mënyrë tektonike. Trumpi nuk e bën hesap Brukselin. Brukselin si BE e ka anashkaluar komplet, flet me vende anëtare, i flet Gjermanisë, Francës, Danimarkës për Grenlandën. Tash do të ketë çështje më të mëdha mes BE-së dhe SHBA-së sesa tarifat. Siç është Grenlanda dhe çështje tjera që pritet t’i atakojë dhe për momentin BE-ja po fshihet. Edhe në raport me Kosovën nuk do të jetë në të njëjtën linjë. Është naivitet politik nëse mendojmë që Richard Grenell është vetëm një individ dhe më pas duam ta dimë në rangun e Trumpit ku qëndron Kosova”, ka theksuar ajo.
VIDEO:
Emisioni i plotë