Gjykata Speciale e ka miratuar kërkesën e avokatit Ben Emerson, për tërheqje nga ekipi mbrojtës i ish-kryetarit të Kuvednit, Kadri Veseli.
Në vendim thuhet se Veseli dhe Emmerson kanë konfirmuar se janë pajtuar për ndërprerje të marrëdhënies avokat-klient bazuar në “një prishje të parevokueshme në marrëdhënien avokat-klient”.
Sipas Gjykatës kjo nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor.
“Më 21 gusht 2024, Trupi Gjykues në çështjen Thaçi dhe të tjerët miratoi përfundimin e përfaqësimit ligjor të Kadri Veselit nga mbrojtësi Ben Emerson. Veseli dhe Emersoni u pajtuan me këtë vendim, duke bërë që Trupi Gjykues të aprovojë përfundimin e përfaqësimit ligjor për arsye të vlefshme. Gjithashtu, Trupi Gjykues u bind se do të sigurohet vazhdimësia e përfaqësimit të Veselit dhe se ndryshimi i kryembrojtësit nuk do të shkaktojë vonesa në procesin gjyqësor”, thuhet në njoftimin e Speciales.
Vendimi thuhet se do të hyjë në fuqi pasi të caktohet kryembrojtësi i ri dhe administratorja e Dhomave të Specializuara të Kosovës ftohet të marrë të gjitha masat e nevojshme sa më shpejt që të jetë e realizueshme.
Sipas vendimit Veseli ka kërkuar që ekipin e tij mbrojtës ta kryesojë Rodney Dixon.
MD: Avokatin e Veselit e kemi paguar mbi 4 milionë euro për katër vjet
Ndërkohë, Ministria e Drejtësisë ka lëshuar një reagim rreth pagesave për avokatët mbrojtës të ish-krerëve të UÇK-së, pasi pas tërheqjes së avokatit të Kadri Veselit, Ben Emerson, figura publike në Kosovë përmes Facebookut për largimin e tij fajin ia kanë lënë fondeve kinse të pakta që ndahen nga MD-ja.
MD-ja ka thënë se pretendimet se Ministria nuk po i paguan mjaftueshëm avokatët janë krejtësisht të pavërteta”.
“Për sqarim të opinionit publik, deri më sot, Ministria e Drejtësisë ka paguar një shumë totale prej 26,179,562 eurosh (njëzet e gjashtë milion e njëqind e shtatëdhjetë e nëntë mijë e pesëqind e gjashtëdhjetë e dy euro) për mbrojtjen e personave që po mbahen në paraburgim... Personat që tërhiqen nga detyra e tyre mund të gjejnë justifikime të ndryshme, por pagesa e ulët nuk është një prej tyre. Avokati Ben Emmerson, i cili përfaqëson z. Kadri Veseli, ka përfituar nga Ministria e Drejtësisë një shumë prej 4,019,724.91 euro (katër milion e nëntëmbëdhjetë mijë e shtatëqind e njëzet e katër euro e nëntëdhjetë e një cent)”, thuhet në reagim.