Arbëri

Elshani: Pretendimet për tren bullgar janë lehtësisht të vërtetueshme

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani, ka deklaruar se dyshimet për një rast të ashtuquajtur ‘tren bullgar’ në një vendvotim në Gjakovë janë lehtë të verifikueshme.

Sipas tij, në një kuti votimi janë gjetur dy fletëvotime kopje, ndërsa origjinalet përkatëse mungojnë.

“Ajo kuti do të numërohet edhe në qendrën komunale të numërimit dhe do të dihet saktësisht çka ka ndodhur”, ka thënë Elshani në KTV të martën.

Ai theksoi se çdo fletëvotim ka kodin e vet të identifikimit, çka e bën të lehtë verifikimin e një manipulimi të mundshëm.

“Ajo çka mund të siguroj është se votat nëpër kuti do të mbesin aty dhe secili që ka ankesë, pas shpalljes së rezultateve përfundimtare, mund të kërkojë rinumërim në PZAP”, përfundoi Elshani.


Baraliu: KQZ-ja do të duhej të mobilizohej për ta përshpejtuar numërimin e votave

Mazllum Baraliu, ish-kryesues i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, ka thënë se është dashur një mobilizim më i madh i KQZ-së me Sekretariatin si dhe komisionet komunale zgjedhore që i gjithë procesi pas 9 shkurtit të shkonte më shpejt.

Ai ka thënë se edhe problemet teknike, si mungesa e ngrohjes diku në qendra të numërimit, kanë ndikuar në çështjen e vonesave.

“Duhej një mobilizim më i madh i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe Sekretariatit, si dhe komisioneve komunale zgjedhore, që të përshpejtohet procesi sepse të gjithë presin me padurim. Shtyrja e këtij afati deri te rezultati përfundimtar pastaj shtyn edhe afatet e tjera, në konstituim të Kuvendit, verifikimin dhe rezultatet përfundimtare, certifikimin, betimin, e të tjera”, ka thënë ai në “Zgjedhjet në KOHË”.

Baraliu ka theksuar se sa më parë duhet të dalin rezultatet përfundimtare.

"Do duhej që koha të shfrytëzohej, të mos kemi krizë në zvarritje, siç ka ndodhur më herët në 6 muaj, duhet të angazhohemi që sa më parë të kemi rezultatet përfundimtare".  

 

Baraliu ka shtuar se është dashur që përgatitjet për zgjedhjet të kryheshin më herët.

“Trajnimet kanë mundur të fillojnë më herët sepse është evidente që janë shumë vonë. Procesi i pakompletuar, paeksploruar sa duhet dhe i papërmbyllur profesionalisht e teknikisht reflektohet edhe në proces votimi, në shprehjen e  numrit më të madh të fletëvotimeve të pavlefshme. Është evidente që ka pasur vonesa, që ka Ligji është miratuar mjaft herët që KQZ-ja dhe Sekretariati të përgatiten, zgjedhjet kësaj radhe janë shpallur 6 muaj përpara, ka pasur mundësi, ka pasur 1 muaj fushatë”, ka thënë ai.

Ai ka shtuar se po ashtu nuk do të duhej të kishte probleme me tenderim.


Elshani: Ditën e zgjedhjeve, sistemi i KQZ-së pati mbingarkesë dhe ndërhyrje nga personat në terren

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Arianit Elshani, ka deklaruar se sistemi i KQZ-së është përballur me mbingarkesë dhe ndërhyrje nga personat që kishin për detyrë t’i fusnin të dhënat në sistem gjatë ditës së zgjedhjeve.

Sipas Elshanit, sistemi i mbrojtur nga softuerët e KQZ-së dhe operatorë të huaj ka pësuar një rënie për shkak të mbingarkesës dhe sulmeve të automatizuara.

“Kur ka mbingarkesë të tillë, zgjohen robotët që sulmojnë uebfaqen dhe rrëzojnë sistemin”, ka thënë ai në KTV të martën.

Ai theksoi se ndërhyrje janë shënuar edhe nga persona në terren, të cilët kishin për detyrë futjen e të dhënave nga 980 qendra të votimit. Si shembull, Elshani përmendi një rast në Pejë, ku Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) iu regjistruan gabimisht 120 mijë vota, duke krijuar perceptimin se kishte fituar 55% të votave. Një rast i ngjashëm ndodhi edhe me Partinë Demokratike të Kosovës (PDK), e cila u raportua me 40 mijë vota më shumë.

“Ende nuk dihet nëse këto ndërhyrje ishin të qëllimshme apo thjesht gabime teknike nga personat në terren”, theksoi Elshani.

E për problemet e platformës së KQZ-së edhe gjatë ditëve të tjera, Elshani ka thënë se ende nuk kanë informacione të plota.

Zëvendëskryeministri Besnik Bislimi ka konfirmuar se platforma e KQZ-së pati sulme gjatë ditës së zgjedhjeve.