Arbëri

Elshani: Diskursi i subjekteve politike do të monitorohet nga KQZ-ja

Arianit Elshani, KQZ

Anëtari i Partisë Demokratike të Kosovës në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, Arianit Elshani, ka paralajmëruar se fushatat zgjedhore të subjekteve politike do të monitorohen nga KQZ-ja.

Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se kjo për herë të parë do të praktikohet për zgjedhjet e 9 shkurtit, duke thënë se do të monitorohet diskursi i subjekteve politike dhe i kandidatëve.

“Do të praktikohen edhe monitoruesit e fushatave në secilën komunë të Kosovës. Ata do të monitorojnë hapësirën digjitale të postimeve dhe diskursin që përdorin kandidatët dhe subjektet politike gjatë fushatës”, ka thënë Elshani.

Sipas tij, kjo është pjesë e ndryshimeve ligjore për zgjedhjet në Kosovë. Elshani ka shtuar se Komisioni Qendror i ka dërguar 48 rekomandime përmbajtjesore “që e kanë plotësuar ligjin për zgjedhjet parlamentare”.

Ndërsa, duke folur për numrin e votuesve, ai ka thënë se mospastrimi i listave zgjedhore ka bërë që numri të jetë më i lartë se i banorëve të Kosovës.

“Në listat e KQZ-së janë përfshirë edhe persona të vdekur, e mund të them që nga 2020-ta kemi insistuar e ndonjëherë kemi tejkaluar kompetencat duke organizuar takime me institucione të tjera për të diskutuar pastrimin e listave nga personat që tashmë janë të ndjerë e s’janë raportuar askund. Me këtë listë është ajo që është evidentuar në regjistrim të popullsisë”, ka thënë Elshani.

Sipas zyrtarit të KQZ-së, janë 1.2 milionë qytetarë që janë mbi moshën 18-vjeçare dhe jetojnë në Kosovë, ndërsa 900.000 të tjerë janë njerëz që jetojnë jashtë Kosovës “e që s’janë raportuar nga familjarët si persona që s’jetojnë më”.

“Janë edhe pasaktësitë nga adresat dhe në lista të votuesve, janë edhe nga niveli komunal që barten të KQZ-ja. Për këto KQZ-ja s’është adresa pasi faji është i shpërndarë...Në raport me shtetasit që kanë hequr dorë nga shtetësia e Kosovës, në të kaluarën kanë qenë të përfshirë, e sot ata persona që kanë hequr dorë s’përfshihen në listën zgjedhore. Ata që kanë shtetësi të Kosovës do të përfshihen. Ky numër është i madh por përfshijnë edhe njerëz që janë jashtë vendit, por kanë një dokument identifikimi në Kosovë”, u shpreh tutje Elshani.