Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka deklaruar se dy të arrestuarit në Ferizaj nën dyshimin për spiunazh “ka një kohë të gjatë që janë jashtë sistemit të sigurisë dhe pesha e tyre për dhënie të informacionit s’është e madhe”.
Ai ka deklaruar të enjten në “60 Minuta” të KTV-së të enjten se sipas informacioneve, dy të arrestuarit kanë elemente të bashkëpunimit me një zyrtar të BIA-s në Serbi, por që sipas tij, “AKI-ja e ka të vështirë ta faktojë se ai është zyrtar i BIA-s”.
“I kemi dy persona që kanë punuar në siguri, por tash e një kohë të gjatë janë jashtë (sigurisë v.j.) e pesha e tyre nuk është e madhe. Institucionet tona e kanë mekanizmin e ruajtjes së informacionit, por nëse kemi rrjedhje të informacionet nga ato institucione, duhet të arrestohet edhe burimi i tyre”, ka thënë Elezi.
Njohësi i sigurisë ka shtuar se drejtoria e spiunazhit në Policinë e Kosovës dhe Agjencia Kosovare për Inteligjencë (AKI), i kanë pasur nën “llupë” të dyshuarit.
“Personat kanë pasur të njohur e raporte me njerëzit e politikes në Ferizaj, që punojnë për institucione të sigurisë e sikur të ishin bashkëpunëtorë duhet t’i arrestonim edhe persona që kanë shërbyer si burim të informacionit. Shërbimet sekrete marrin informacione nga njerëzit që kanë potencial e mundësi për të ardhur deri te informacioni, e këto dy profile kanë pasur shumë pak mundësi të ofrojnë diçka interesante”, ka theksuar ai.
Ai ka shtuar se prokurorisë duhet t’i jepet kohë në mbledhjen e fakteve për rastet e tilla, në mënyrë që gjykata të marrë vendime të drejta.
“Edhe në rastet e spiunazhit duhet të marrë kohë pasi ekzistojnë disa veprime që mund të sigurojnë prova e gjykata të marrë vendim”, ka deklaruar Elezi.