Arbëri

Elezi: Ligji i ri për zgjedhjet sfidues, por përgatitjet po shkojnë pa problem

Zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, ka thënë se është sfidues që organizimi i zgjedhjeve të 9 shkurtit për herë të parë do të jetë me ligj të ri, por shtoi se përgatitjet, që sipas tij kanë nisur tash e dy muaj, po shkojnë pa problem.

Me Ligjin e ri për zgjedhjet, Elezi në “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se ka shumë ndryshime sa i përket procesit brenda dhe jashtë Kosovës.

Si ndryshim, ai ka përmendur faktin se numërimi i votave në qendrat e votimeve do të bëhet vetëm për subjektet politike. Votat për kandidatët për deputetë do të numërohen në qendrat komunale të numërimit një ditë pasi të përfundojnë zgjedhjet. Secila komunë, sipas Elezit, do ta ketë një qendër të tillë që tashmë është caktuar dhe do të bëhen kryesisht në palestra.

Zëdhënësi i KQZ-së ka thënë se ndryshimet ligjore gjithashtu implikojnë edhe buxhet më të madh. KQZ-ja ka planifikuar rreth 9 milionë euro për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, por Elezi theksoi se kjo shifër zakonisht ulet pas përfundimit të procesit.

Sa i përket verifikimit të kandidatëve për deputetë, Elezi ka thënë se do t’i dorëzojnë listën Këshillit Gjyqësor dhe më pas njoftohen nëse ndonjëri kandidatët nuk plotëson kriteret e kërkuara nga ligji.

“Nëse ndonjëri nga kandidatët është i dënuar në tre vjetët e fundit me vendim të formës së prerë për vepër penale që ka minimum një vit burg efektiv atëherë nuk mund të kandidojë”, ka shtuar Elezi.

Ai bëri të ditur se më 4 janar të vitit 2025 do ta dinë numrin e saktë të votuesve brenda dhe jashtë Kosovës.