Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka thënë se Serbisë i shkon për shtati të mos e arrestojë Faton Hajrizin, të dyshuarin për vrasjen e një polici në Serbi.
Sipas tij, ka shumë mundësi që Serbia me qëllim nuk e ka arrestuar.
“Me kapacitetet që i ka Serbia, është e çuditshme se si nuk e ka arrestuar. Ka mundësi që e ka lënë vetë të ikë, pasi kjo i jep mundësi për veprimet e mëpasshme, e që kanë filluar - keqtrajtimi i qytetarëve kosovarë që kalojnë nëpër Serbi”, ka thënë Elezi.
Ai ka ftuar qytetarët kosovarë që të shmangin sa më shumë kalimin nëpër Serbi.
“Kam intervistuar me qindra kosovarë, që janë keqtrajtuar në Serbi e që janë grabitur, nën kërcënimin se do të mbeten në paraburgim, minimalisht 1 vit”, ka thënë ai në emisionin “Konfront” në KTV, të enjten.
Ai po ashtu ka thënë se ka pritur dorëheqjen e ministrit të Brendshëm Xhelal Sveçla. Këtë e ka lidhur me deklaratën e Sveçlës, që pati paralajmëruar se arrestimi i Hajrizit është “çështje orësh”.
“Kjo deklaratë e ministrit është e dëmshme për shtetin, do ta përdorë Serbia”, ka thënë ai.
Gjinovci: Pyetja është, nëse Hajrizi arrestohet në Kosovë, a do të dorëzohet në Serbi
Panelisti në emisionin “Konfront”, Rron Gjinovci, ka deklaruar se nëse i dyshuari për vrasjen e policit serb, Faton Hajrizi, kapet në Kosovë, a do të dorëzohej nga autoritetet kosovare në Serbi.
Ai ka deklaruar se kjo është pyetja kryesore, duke shtuar se kryeministri Albin Kurti “para një jave kërkoi që Radoiçiqi të dorëzohej në Kosovë, e pyetja që duhet të shtrohet është nëse Fatoni kapet në Kosovë, a duhet ta dorëzojmë”.
“Kjo që ka ndodhur është edhe për konsum të brendshëm në Serbi. S’ka ndodhur moti asgjë, tash duan të thonë se si po na sulmon Kosova. Duan të tregojnë se janë viktima, asi narrative që e kanë ndërtuar gjithmonë. Publikut kosovar i intereson drama e Faton Hajrizit, por ajo që e thotë Serbia është e qartë. Pyetja kryesore këtu është që nëse Fatoni zihet në Kosovë, a do ta dorëzojë Kosova apo do të sillet si Serbia dhe nuk e dorëzon”, është shprehur Gjinovci.
Elezi: Hajrizi ka statusin e veteranit dhe Serbia do të mundohet ta përdorë këtë
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, është shprehur se Serbia do të mundohet ta përdorë faktin që Faton Hajrizi është veteran i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, derisa i ka ftuar organet e drejtësisë ta hetojnë se si ai është veteran.
Elezi është shprehur se avokati i Hajrizit dikur ishte shprehur se në kohë të luftës, Hajrizi ishte fëmijë, por që tani ka certifikatën e veteranit.
“Faton Hajrizi ka cërtifikatë të veteranit të UÇK-së dhe Serbia do të mundohet të lidhë me UÇK-në. Janë prova që nuk mund të konsiderohen në një shtet normal argumente, por e dimë se Serbia është shtet kriminal, shtet që organizohet nga grupe kriminale...Të njëjtit do të mundohen të përdorin të qenurit pjesëtar i UÇK-së. I jam referuar një deklaratë publike të njërit prej mbrojtësve në veprat penale, ku ka deklaruar se ‘klienti ishte në oborrin tim duke luajtur me fëmijë dhe ka qenë i moshës 12-vjeçare’. Referuar kësaj deklarate publike të një personi zyrtar, besoj se çështja e marrjes së statusit ka të bëjë me vepër penale për personat që ia kanë mundësuar. Ftoj Prokurorinë Speciale dhe Policinë që të hetojnë rastin s'i ka ardhur deri te marrja e certifikatës”, ka deklaruar Elezi.
Sopi thotë se ka pasur trajtim jo të drejtë të shtetit ndaj Hajrizit në burg
Panelisti në “Konfront” të KTV-së, Agim Sopi, ka thënë se ka pasur trajtim jo të drejtë të Faton Hajrizit në burg.
Të enjten mbi debatin për vrasjen në Lloznicë, për të cilën Serbia e akuzon Kosovën, ngjarje në të cilën dyshohet se është i përfshirë Hajrizi, Sopi ka thënë se Hajrizi do të duhej ta vuante dënimin për vrasjen e ushtarit rus në izolim brenda ndonjë institucioni edukativ, e jo të dënohej si kriminel me burg, meqë ishte i mitur.
Sipas Sopit, Hajrizi nuk është trajtuar në mënyrë të drejtë pasi nuk është lejuar të shkollohej gjatë kohës sa e ka vuajtur dënimin.
“Gjeneralët serbë që kanë bërë këtu gjenocid, që kanë vrarë mbi 1470 fëmijë shqiptarë, janë dënuar me 15 vjet burgim, ndërsa ai si adoleshent që e ka vrarë një ushtar rus, duke qenë i provokuar nga ushtari me armën e tij, është dënuar me 28 vjet. Sipas ligjeve progresive evropiane që asaj kohe nuk janë përdorur në Kosovë, por janë përdorur ligjet e Serbisë në kohën e UNMIK-ut, nuk kanë pasur të drejtë ta dënojnë si kriminel me burg, por është dashur ta riedukojnë me një institucion edukativ, ta izolojnë jo ta burgosin. Atë e kanë dërguar si një kriminel të rritur që ka vrarë me paramendim dhe është dashur ta vuajë dënimin. Hapi i dytë, edhe më i rëndë, siç ka thënë edhe ai vetë, është se për 20 vjet atë nuk e kanë lejuar të shkollohet, një shkelje e rëndë e të drejtave njerëzore pavarësisht se ai ka qenë në burg. Ka qenë e drejtë e pakontestueshme e tij që të shkollohet”, ka thënë ai.
Sopi ka konsideruar se sistemi i drejtësisë në Kosovë është i paqëndrueshëm.
Elezi: Policët serbë e ndaluan taksinë ku ishte Hajrizi, pasi s'ishin të njoftuar nga eprorët e tyre
Njohësi i çështjeve të sigurisë, Bedri Elezi, ka deklaruar se i arratisuri nga burgu i Kosovës, Faton Hajrizi, kishte shkuar deri në Lloznicë me një taksist, duke shfrytëzuar një rrugë që shfrytëzohet nga bandat kriminale për trafikim me qenie njerëzore.
Elezi ka thënë të enjten në “Konfront” të KTV-së se sipas një raporti të autoriteteve serbe që e posedojnë edhe ndërkombëtarët, Hajrizi ka kaluar në rrugën ku zhvillohet kriminalet, e ka refuzuar të legjitimohet nga autoritetet serbe pasi u ndalua.
“Sipas një raporti të ndarë me institucionet ndërkombëtare të sigurisë, autoritetet e Serbisë thonë se taksisti ka deklaruar se të dyshuarin e ka marrë me veturë nga Presheva për ta dërguar në kufirin me Bosnjë. Ky është një kanal i trafikimit të qenieve njerëzore. Janë refugjatët sirianë dhe vendet nga luftëra të ndryshme që përdorin këtë kanal për të shkuar në vendet e BE-së. Është kanal i njohur ndërkombëtarisht, këtë punë e bëjnë kryesisht agjentë të BIA-s për t'u pasuruar dhe për të kaluar në Bosnjë, e më pas është një trekëndësh me Kroacinë. Ky veprim ka qenë pa dijen e kapove që janë marrë me këtë biznes, e taksi u ndalua në rrugën ku e përdorin si kanal dhe ka rënë në dyshim për shkak se ata s'kanë qenë në njohuri. Në rastin konkret ka qenë i ndaluar nga dy zyrtarë të autoriteteve të Serbisë për t'u legjitimuar nëse ka të bëjnë me biznesin e tyre dhe i njëjti ka refuzua të legjitimohet”, është shprehur Elezi.
Njohësi i çështjeve të sigurisë ka shtuar se Hajrizi e kishte grushtuar një zyrtar policor dhe pastaj ia kishte marrë revolen.
Ka arritur të grushtojë njërin nga zyrtarët e Policisë , t'i marrë revolen dhe t'i shkrepë 9 plumba dhe të largohet nga vendi, duke i kërcënuar të pranishmit me armë në dorë. Prandaj, shoqëruesi ka arritur të arratiset por është kapur nga autoritetet e Bosnjës. Është vepër kriminale, por s'ka të bëjë me pretendimet e Serbisë për terrorizëm”, ka shtuar ai.