Arbëri

“Elektroseveri” i kualifikon gabim teknik faturat e rrymës me termin “Kosovska Mitrovica”

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë, “Elektroseveri” ka sqaruar se këto gabime kanë ndodhur gjatë bartjes së të dhënave nga “Elektrokosmet”-i në bazën aktuale të shënimeve. “Sqarimet e ‘Elektroseverit’ dërguar në ZRRE janë se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike. Këto gabime teknike kanë ndodhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te ‘Elektrokosmeti’ në bazën e re të shënimeve të ‘Elektroseverit’. Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve, si rrjedhojë, faturat e radhës do të jenë pa gabime. ZRRE-ja është në proces të vlerësimit të informatave dhe të sqarimeve të marra nga ‘Elektroseveri’”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për KOHËN

Gabim teknik e ka kualifikuar kompania serbe “Elektrosever”, emërtimin “Kosovska Mitrovica” të përdorur në faturat të cilat i ka shpërndarë nëpër komunat verore të Kosovës, të banuara kryesisht me serbë.

Sipas Zyrës së Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), “Elektrosever”-i ka sqaruar se këto gabime kanë ndodhur gjatë bartjes së të dhënave nga “Elektrokosmet”-i në bazën aktuale të shënimeve.

“Sqarimet e ‘Elektroseverit’ dërguar në ZRRE janë se në disa adresa të konsumatorëve ka pasur gabime teknike. Këto gabime teknike kanë ndodhur si rrjedhojë e bartjes së shënimeve nga baza e vjetër e konsumatorëve te ‘Elektrokosmeti’ në bazën e re të shënimeve të ‘Elektroseverit’. Pasi janë vërejtur këto gabime, korrigjimet e duhura janë bërë në bazën e shënimeve, si rrjedhojë, faturat e radhës do të jenë pa gabime. ZRRE-ja është në proces të vlerësimit të informatave dhe të sqarimeve të marra nga ‘Elektroseveri’”, thuhet në përgjigjen e ZRRE-së për KOHËN.

Përdorimin e termeve jokushtetuese në faturat e “Elektrosever”-it nuk i ka parë me shqetësim Bashkimi Evropian (BE). Peter Stano, zëdhënësi i BE-së, ka thënë se menaxhimi i faturimit, përfshirë edhe adresat ku dërgohen faturat, është në përgjegjësi të kompanisë serbe.

“Menaxhimi i faturimit, duke përfshirë adresat në të cilat dërgohen faturat, është përgjegjësi e ‘Elektroseverit’, e cila është një kompani e regjistruar dhe e licencuar sipas kornizës legjislative të Kosovës, falë marrëveshjeve për energjinë të lidhura në kuadër të dialogut”, ka thënë Stano në një përgjigje me shkrim për KOHËN.

Sipas Stanos, fillimi i operimit të “Elektroseveri”: nga janari i këtij viti, duke përfshirë edhe nënshkrimin e kontratave me klientët dhe lëshimin e faturave, “është një hap shumë i rëndësishëm në drejtimin e duhur për të zbatuar plotësisht Udhërrëfyesin e Energjisë 2022”. 

“Megjithëkëtë, kërkohet një periudhë tranzicioni përpara se kompania të jetë plotësisht funksionale dhe e aftë për të kryer plotësisht detyrat e saj, ndër të tjera për aktivitetet e nevojshme informuese për të siguruar regjistrimin e të gjithë konsumatorëve të energjisë elektrike dhe për përmirësimin e infrastrukturës”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.

E lidhur me atë nëse BE-ja ka identifikuar ndonjë shkelje të marrëveshjes për Energjinë, në bllokun evropian nuk kanë qenë të prerë në përgjigjen e dhënë. 

“BE-ja po e monitoron nga afër zbatimin e Marrëveshjeve për Energjinë dhe Udhërrëfyesin e Energjisë dhe e vlerëson progresin në vazhdimësi. Çështjet që kanë të bëjnë me zbatimin diskutohen rregullisht me palët dhe aktorët e tjerë përkatës”, thuhet në përgjigjen e Stanos.

Shqetësimin për termin dhe kodin postar që ka përdorur kompania e pati ngritur javë më parë zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, gjatë takimit që e ka pasur me kryenegociatorin serb, Petar Petkoviq, në Bruksel. 

Shpërndarja e faturave në veri ka nisur në shkurtin e këtij viti nga “Elektroseveri”, pasi që në qershor të vitit paraprak kompania është pajisur me licencë për veprimtari në Kosovë. Serbët në katër komunat në veri – Mitrovicë të Veriut, Leposaviq, Zveçan dhe Zubin-Potok – kanë nisur që t’i paguajnë faturat për energjinë e shpenzuar, 24 vjet pas përfundimit të luftës viteve 1998-1999. Deri në fillim të këtij viti, koston e energjisë së shpenzuar prej tyre e patën mbuluar qytetarët e tjerë të Kosovës teksa për disa vjet ajo është mbuluar nga buxheti i shtetit.