Arbëri

Eksportet e Kosovës në Shqipëri këtë vit janë rritur për afro 40 për qind

Kosova ka rritur ndjeshëm eksportet me Shqipërinë si për muajin gusht ashtu edhe për periudhën 8-mujore, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas shifrave të publikuara nga INSTAT (Instituti Shqiptar i Statistikave), Kosova për muajin gusht ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej rreth 12 milionë eurosh, krahasuar me 8 milionë euro që kishte eksportuar në gushtin e vitit të kaluar.

Rritje të eksporteve me Shqipërinë janë shënuar edhe për periudhën 8-mujore (janar-gusht 2022), ku Kosova ka eksportuar në Shqipëri mallra me vlerë prej 88.8 milionë eurosh, krahasuar me 63.5 milionë euro që kishte eksportuar në të njëjtën periudhë të një viti më parë, duke shënuar një rritje me 39.85%. Ndërkohë Kosova është një ndër vendet që Shqipëria ka një rënie të eksporteve krahasuar me një vit më parë për muajin gusht të këtij viti - ka eksportuar mallra me vlerë prej 25.3 milionë eurosh, krahasuar me 26.6 milionë euro.

Por, në termat afatgjatë, përkatësisht në tetë muajt e fundit, Shqipëria ka shënuar një rritje të eksporteve me Kosovën. Për periudhën janar-gusht të këtij viti Shqipëria ka eksportuar në Kosovë mallra me vlerë prej 211 milionë eurosh, krahasuar me 195.8 milionë euro të së njëjtës periudhë të një viti më parë.

Në muajin gusht 2022, vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me gushtin 2021 janë: Italia (29,0 %), Spanja (411,2 %) dhe Gjermania (43,1 %). Ndërsa vendet me të cilat eksportet kanë pasur uljen më të madhe, përveç Kosovës, janë edhe Maqedonia (5,9 %) dhe Kina (86,8 %).

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilët Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të eksporteve, në krahasim me një vit më parë, përveç Kosovës me 6% janë edhe Italia (49,1 %) dhe Gjermania (75,0 %).

Ndërsa vendi me të cilin eksportet kanë pasur uljen më të madhe, është: Spanja (17,7 %) .

Gjatë këtij tetëmujori vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritje më të madhe të importeve, në krahasim me një vit më parë, përveç Kosovës me 39.85% janë edhe Italia (10,8 %), Turqia (34,6 %) dhe Greqia (33,8 %). Ndërsa vendet me të cilat importet kanë pasur uljen më të madhe janë: SHBA (16,2 %), Rusia (18,1 %) dhe Zvicra (13,7 %).