Arbëri

Eksplorimi me kajak i bukurive të Kosovës

“Malet, malet, malet”, thotë Arjan Krasniqi kur pyetet për bukuritë që ua ofron Kosova turistëve. Krasniqi ka shëtitur nëpër shtete të ndryshme të botës.

“Por ka vende që kanë male dhe më pak bukuri në to, por ia kanë dalë të bëjnë shumë më shumë për promovimin e tyre”, thekson Krasniqi, 31 vjeç, i cili ka vizituar bukuri të ndryshme natyrore nëpër shtetet e Evropës dhe të Amerikës. “Dhe bukuritë natyrore që i kemi, sidomos malet e Sharrit dhe Bjeshkët e Nemuna, prej Lybetenit deri në Restelicë, por edhe Bjeshkët e Rugovës, nuk ka vend që nuk është i bukur. Këto e bëjnë një pasuri aq të madhe, saqë të tjerët i kanë edhe më pak bukuri natyrore, por i shfrytëzojnë edhe më mirë”.

Dy në një

Ai dhe shoqëria e tij filluan privatisht të organizonin kampingje nëpër male të ndryshme të Kosovës. Para pesë vjetësh, Krasniqi dhe Taulant Hoxha vendosën që mundësitë që ofrojnë vendet më të bukura të vendit t’i kthenin në burim financiar. Pas disa trajnimesh e hulumtimesh, dy të rinjtë prizrenas regjistruan “Supercampers”, si operator turistik.

“Kështu që na kemi thënë se e kemi këtë pasuri, e kemi këtë potencial, hajde të mos mbetet fjala vetëm te zyrtarët që flasin për potencialin, por potenciali mbetet si potencial nëse njeriu nuk vepron me ba diçka me të. Na po duam ta bëjmë. Tash merremi non stop me turizmin si biznes”, thekson Krasniqi në njërën prej kafeneve përgjatë bregut të Lumëbardhit në Prizren. Jo fort larg Krasniqit, turistë të huaj shkrepin aparatet e celularët mbi Urën e Gurit, teksa fotografojnë qendrën historike të kryeqytetit historik të Kosovës. Urën e këpusin edhe disa ushtarë amerikanë.

“Ideja për biznesin na erdh ku dilnim për kamping për qejf. Jemi mahnitur me malet dhe me bukuritë e tyre, por edhe më gjerë. Në qytet i kemi të dorës së dytë”, thekson Krasniqi.

Ata synojnë që turistët e huaj të rrinë sa më gjatë në Prizren dhe qytetet e tjera, por duke iu ofruar oferta që përfshijnë aktivitete në male. Kanë kombinuar përvojën gjatë vizitave jashtë vendit me kushtet që ofron Kosova...(Artikullin e plotë mund ta lexoni sot në “E Diela me Koha Ditore”)