Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë ka filluar dëshminë dëshmitari i 117-të, Marek Gasior, në gjykimin ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Ky dëshmitar është duke dëshmuar si ekspert mjeko-ligjor dhe se i njëjti ka dëshmuar edhe në gjykimin ndaj Pjetër Shalës.
Ai pohoi se raporti që ka përgatitur ai në këtë çështje pasqyron atë që do të thoshte sot në sallën e gjyqit.
“Autopsia është kryer për të përcaktuar shkaqet e vdekjes së pacientit. Ky raport flet për lëndimet që janë evidentuar në kufomë dhe në këtë raport është dhënë shkaku i vdekjes”, tha ai.
Ai shtroi se këtë raport e ka përgatitur në bazë të autopsive.
Sipas kryetarit të trupit gjykues, dëshmia e këtij dëshmitari pritet të zgjasë vetëm sot. Ai tha se prokuroria ka parashtruar se i duhen rreth dy orë për pyetjet ndërsa mbrojtja e të akuzuarve rreth një orë e 20 minuta për kundërpytje.
Të gjithë të akuzuarit ishin të pranishëm në sallën e gjyqit sot dhe vlen të theksohet se në fillim, një pjesë e konsiderueshme e seancës ishte private.
Veç kësaj, në prova materiale u pranuan akt-ekspertiza së bashku me raportin e përgatitur nga dëshmitari e po ashtu edhe letra me udhëzimet e ZPS-së të cilat u klasifikuan si konfidenciale.
Ndryshe, Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit.
Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.
Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor./ Betimi për Drejtësi
Gasior përfundon dëshminë, foli për viktima të vrara nga armët e zjarrit e me mjete të forta
Në gjykimin më të madh të Speciales të hënën ka dëshmuar eksperti mjekoligjor Marek Gasior.
Në rastin ku Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi akuzohen edhe për ndërmarrje të përbashkët kriminale, dëshmitari Gasior për njërën viktimë tha se pati brinjë të thyera përmes mjeteve të forta që ia shkaktuan vdekjen.
“Brinjët e thyera të cilat ia dëmtojnë indet e buta, do të thotë që këto vena dhe arterie kanë plasur dhe kanë shkaktuar gjakderdhje në zgavrën e gjoksit. Pra lëndimet e mëdha, brinjët e thyera shkaktojnë edhe dëmtime në mushkëri, në indet e mushkërive, dhe këto janë dy burime të gjakderdhjes që ne kemi vërejtur në rastin e pacientit, i cili kishte shumë brinjë të thyera, kishte gjithashtu edhe shpim të mushkërive”, tha Gasior.
Njëra prej viktimave, sipas dëshmitarit, është vrarë me kosë. Këtë veprim, sipas tij, duhet ta kenë bërë më shumë sesa një person, në bazë të lëndimit që ai e mori që qafë.
Ann Rowan, avokate e ish-kryeparlamentarit Kadri Veseli, e ka pyetur dëshmitarin se a është i sigurt përfundimi për shkakun e vdekjes së një personi nga plumbi në pjesën pelvike.
“Ju nuk mund ta thoni me siguri se ka pasur dëmtim të këtyre enëve të gjakut?” – pyeti Rowan.
“Sipas anatomisë së trupit të njeriut, në këtë pjesë ka enë gjaku, arterie e vena dhe një dëmtim i eshtrave në këtë vend të trupit mund të dëmtojë indet që ndodhen këtu, përfshirë enët e gjakut”, tha Gasior.
Dëshmitari tha se përfundimi logjik që nxirrej ishte se personi vdiq nga depërtimi i plumbit me armë zjarri, meqë pjesa ku u godit para vdekjes çon në gjakderdhje të mëdha.
“Për të qenë të qartë lidhur me dëshminë tuaj pa e parë anatominë apo diagramet. Ju po thoni se ky lëndim ka qenë pa dyshim fatal, pra po thoni me siguri që për shkak të këtij lëndimi ka vdekur personi? Po apo jo?” – pyeti Rowan.
“Një lëndim që dëmton indet e buta, përfshirë venat dhe arteriet që çojnë në gjakderdhje çojnë në vdekjen e një personi”, tha Gasior.
Gasior paraprakisht ka dëshmuar edhe te rasti ndaj Pjetër Shalës.
Pas tij dëshminë në Speciale e ka nisur ish-ushtari i UÇK-së, Naser Krasniqi.