Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka paralajmëruar se pas 1 prillit pritet rritje e çmimit të energjisë elektrike, për shkak të humbjeve të mëdha financiare të KESCO-s dhe KEDS-it gjatë vitit 2024.
Sipas tij, të dy operatorët kanë deficit prej rreth 80 milionë euro për vitin e kaluar, kryesisht për shkak të importit të lartë të rrymës, i cili ka qenë mbi pritjet e lejuara nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE).
“Tani kur po rritet çmimi, duhet të pyesim: çfarë po marrim si kthim nga kjo rritje? A do të kemi furnizim të qëndrueshëm? A do të ketë ndërprerje? Këto janë pyetje që mungojnë në kërkesat që i kanë bërë KEDS, KESCO dhe KOSTT te ZRRE-ja”, ka thënë Haxhimusa në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai theksoi se mungesa e prodhimit nga KEK-u ka detyruar operatorët të importojnë energji me çmime shumë më të larta, sidomos në muajt e fundit të vitit 2024.
Duke komentuar raportimet se rritja e çmimit të rrymës mund të jetë 35 për qind, Haxhimusa ka thënë se kjo mund të jetë “lojë” në përcaktimin përfundimtar të tarifave.
Një tjetër problem, sipas Haxhimusës, mbetet humbja e madhe e energjisë në rrjet, ku 23 për qind e rrymës së prodhuar humbet nga KOSTT-i dhe më së shumti nga KEDS-i.
“Jemi kampionë për humbjet në rrjet në Evropë, ndoshta vetëm Shqipëria është më keq se ne”, përfundoi ai.
Gjatë ditës së sotme, KOHA me burime në ZRRE ka raportuar se duke nisur nga 1 prilli, qytetarët pritet që faturat për energjinë elektrike të konsumuar t’i marrin me rritje. Por ende nuk dihet se sa do të jetë ajo.