Arbëri

Eksperti i energjisë: Kam frikë se rritjet e çmimit të rrymës do të vazhdojnë pa ndalur

Njohësi i fushës së energjisë, Adhurim Haxhimusa, ka shprehur shqetësimin se Kosova po hyn në një cikël të pafund të shtrenjtimit të rrymës, pas vendimit të sotëm të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e çmimit të energjisë elektrike për 16%.

“Kam frikë se po hymë në një rreth ku këto ngritje të çmimeve nuk do të ndalen”, ka thënë Haxhimusa në “Interaktiv”, duke përmendur problemet me qëndrueshmërinë e impianteve ekzistuese të prodhimit të energjisë.

Ai theksoi se para dy ditësh, blloku B2 i KEK-ut doli jashtë funksionit për dy ditë, duke shkaktuar një humbje prej rreth 2 milionë eurosh.

Sipas tij, renovimet e planifikuara në termocentralet e vendit nuk janë të shoqëruara me plane të qarta se si do të mbulohet energjia gjatë periudhave të ndërprerjes, apo si do të financohen importet që do të jenë të domosdoshme.

“Tre muaj një bllok, tre muaj tjetri – për gjashtë muaj do të na mungojnë rreth 250 megavat në orë. Nuk dihet si do të përballohet kjo mungesë”, theksoi ai.

Haxhimusa kritikoi gjithashtu mënyrën e marrjes së vendimeve, duke e quajtur “procedurë të përshpejtuar” vendimin për rritjen e çmimit, i cili, sipas tij, duhej të ishte paraprirë nga debat gjithëpërfshirës dhe analizë të thellë një vit më parë.

“ZRRE-ja ndodhet para aktit të kryer dhe vetëm shtyn përpara një proces të tillë. Këto nuk janë procedura të mirëpritura”, u shpreh ai.

Ai vlerësoi se reagimi i presidentes ishte më shumë për të kryer një obligim formal, ndërsa propozimet e Ministrisë së Ekonomisë i cilësoi si reaksion dhe jo një qasje proaktive për zgjidhje afatgjate.

“Kjo është politikë me ‘tahmin’, jo me analizë. Nuk ka asnjë vlerësim konkret për ndikimin që do të kishte ndarja e re e blloktarifave, as për konsumatorët, as për sektorin energjetik”, u shpreh Haxhimusa, duke u përgjigjur për propozimin e Ministrisë së Ekonomisë që të shtohen blloktarifat. 

Ai përfundoi duke kujtuar se në fundvitin 2024 ka pasur devijime të mëdha në prodhimin e energjisë nga KEK-u, gjë që sipas tij tregon për mungesën e qëndrueshmërisë dhe planifikimit strategjik në këtë sektor.