Arbëri

Ekspertët zviceranë me dy teknologji angazhohen për gjetjen e të zhdukurve nga lufta në Kosovë

Zvicra

Disa ekspertë zviceranë kanë qëndruar në Kosovë e Serbi nga 14 tetori deri më sot (25 tetor) për të testuar dy teknologji për gjetjen e varreve masive nga lufta e fundit në Kosovë, ka njoftuar Departamenti Federal i Punëve të Jashtme të Zvicrës të premten, transmeton “Blick”.

Konkretisht, janë testuar dy lloj teknologjish, ajo me laser dhe radar.

Teknologjia me laser përdoret edhe nga arkeologët për të gjetur vende parahistorike.

Ndërsa metoda e eksplorimit gjeofizik përfshin përdorimin e radarit depërtues në tokë e më pas përmes valëve elektromagnetike me frekuencë të lartë do të ekzaminohet nëntoka .

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq vitin e kaluar nënshkruan deklaratën për kërkimin e personave të zhdukur dhe gjetjen e eshtrave të tyre. Të dy vendet më pas i kërkuan Zvicrës mbështetje.

Varreza masive nga koha e luftës janë gjetur disa herë gjatë 20 vjetëve të fundit në Kosovë, por edhe në territorin e Serbisë.

Mbi 1600 persona vazhdojnë të jenë ende të zhdukur.