Arbëri

Ekspertët thonë se projektet e neglizhuara me vite s’mund të përfundojnë për disa muaj

Shumë projekte rrugore, realizimi i të cilave ka nisur prej vitesh, nuk kanë përfunduar ende. Ministria e Infrastrukturës ka intensifikuar njoftimet për ndërtim të rrugëve, por se sipas njohësve të fushës, kjo po bëhet për qëllime elektorale. Ata vlerësojnë se rrugët në të cilat nuk është punuar mjaftueshëm me vite nuk mund të përfundojnë për disa muaj

Prej shtatorit të 2019-s nisën punimet për asfaltimin dhe ndërtimin e 2.9 kilometrave rrugë në magjistralen Gjilan-Bujanoc. Që atëherë u ndërruan tri qeveri, por punimet s’u kryen.

Ministria aktuale e Infrastrukturës dha zotim në fillim të vitit të kaluar se më së largu në qershor të 2023-s puna do të përfundonte.

Vonesat në realizimin e punimeve kanë revoltuar qytetarët.

“Kjo është duke penguar shumë. Qe tre vjet ka filluar, nuk e dimë përfundimin. Kurrkush nuk di të na tregojë apo kë ta pyesim, nuk ka kurrfarë informacioni”, ka deklaruar Xhelal Myrtaj. 

E një tjetër qytetar e vlerëson të pakuptimtë kohëzgjatjen e punimeve në pak kilometra trase.

“Rruga e ka një gjatësi jo fort të madhe sa për me u zvarritë kaq shumë punimet. Por, mendoj që edhe punimet nuk janë bërë në cilësinë e duhur”, ka thënë Muhamedali Dervishi.

Shumë rrugë magjistrale në Kosovë janë në gjendje të rëndë me gropa e plasaritje.

Në disa nga këto rrugë ka kohë të gjatë që nuk ka pasur ndërhyrje të shtetit e në disa prej tyre punimet janë duke u zvarritur.

Madje edhe rrugët, të cilat janë asfaltuar rishtazi, kanë filluar të prishen.

Njësoj është shembulli në magjistralen Ferizaj-Gjilan, e cila është ndërtuar së fundmi por është dëmtuar.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë se përgjegjësinë e mban operatori ekonomik.

“Kjo rrugë është në ndërtim e sipër dhe kjo nënkupton se të gjitha dëmtimet që mund të ndodhin për arsye të ndryshme gjatë kësaj periudhe kur punimet nuk kanë përfunduar bazuar në kontratën me kontraktuesin e angazhuar janë në përgjegjësi e Operatorit Ekonomik dhe duhet të rregullohen me koston e tyre pa asnjë kosto shtesë për Ministrinë e Infrastrukturës”, thuhet në përgjigjen e MI-së.

Por, në këtë ministri ka disa javë që nuk kanë kthyer përgjigje në pyetjet e KOHËS se çfarë ka punuar ky dikaster qeveritar gjatë tre vjetëve në këtë drejtim.

Ndërkaq në rrjetet e tij sociale ministri i Infrastrukturës, Liburn Aliu, ka intensifikuar njoftimet për ndërtim e zgjerim të rrugëve.

Nol Dedaj, ekspert i komunikacionit thotë se angazhimi i Ministrisë në këtë periudhë po bëhet për qëllime elektorale meqë është viti i fundit i mandatit. Madje ai është skeptik se edhe disa prej punimeve të prezantuara do të mund të përfundonin brenda mandatit.

“Menaxhimi i zhvillimit të infrastrukturës në këto tre vjet ka qenë në nivelin më të ulët të menaxhimit të të gjitha qeverive. Edhe ky është mësuar si qeveritë e tjera, në fund të mandatit një vit pa i kaluar mandati me njëfarë reklame të dalë që tash jemi duke dashur t’i punojmë”, ka theksuar Dedaj.

Pos rrugëve magjistrale punimet janë duke u zvarritur tej mase edhe në autostradën për Gjilan, për të cilën ka pasur disa data për përfundimin e saj, por që gjendja në terren e tregon se ajo është larg përfundimit.