Arbëri

Ekspertët: Struktura e re tarifore mund t’i kursejë konsumatorët e “vegjël”, një pjesë e madhe janë mërgimtarë

Ekspertët thonë se struktura e re tarifore mund t’i kursejë konsumatorët që shpenzojnë më pak se 800 kWh në muaj, por sipas tyre, një pjesë e madhe e kësaj kategorie përbëhet nga diaspora, e cila nuk e konsumon rrymën në mënyrë të vazhdueshme. Javën e ardhshme, Zyra e Rregullatorit për Energji pritet të marrë vendimin përfundimtar mbi çmimet e reja dhe ndarjen e konsumatorëve në bllok-tarifa, për çka tashmë është paralajmëruar një rritje mesatare prej 16.1%.

Sugjerimi i ministres në detyrë të Ekonomisë, Artane Rizvanolli, që energjia elektrike të shtrenjtohet vetëm për ata që e tejkalojnë pragun prej 800 kilovatëve, vlerësohet të jetë propozimi që mund të aprovohet prej ZRRE-së javën e ardhshme.

Fidan Qerimi, njohës i ekonomisë, thotë se ndonëse kjo strukturë tarifore do të përjashtonte nga energjia e shtrenjtuar 65 për qind të popullatës, do të ishte e padrejtë për kategorinë tjetër të shoqërisë.

Qerimi nuk e sheh normale që personat që shpenzojnë më shumë dhe paguajnë për aq sa shpenzojnë të bartin barrën e shtrenjtimit të energjisë.

“Jam i bindur se shtrenjtimi i rrymës vetëm për një kategori të konsumatorëve nuk është shumë i drejtë, sepse vetë ministria ose ministrja përkatëse në dy apo tri vitet e fundit ka pasur subvencionim të pajisjeve elektrike të cilat kanë krijuar një konsum shumë më të lartë dhe një pjesë e madhe e familjeve kanë kaluar prej ngrohjes me dru dhe pelet janë kthyer në konsumues të energjisë elektrike”, ka deklaruar ai.

Ministrja Rizvanolli kishte deklaruar se 65 për qind e konsumatorëve nuk e tejkalojnë në asnjë muaj të vitit pragun e shpenzimit prej 800 kWh.

E 35 për qind e kalojnë vetëm në disa muaj të vitit.

Mirëpo, ekonomisti Qerimi, thotë se një pjesë e konsiderueshme e atyre që nuk do t’u shtrenjtohet energjia nuk jetojnë në Kosovë.

“Mendoj që në këtë përqindje nuk është që përfshihen konsumatorët real 65%, ne kemi një diasporë shumë të madhe që kanë shtëpi apo banesa, që po investojnë jashtëzakonisht shumë në Kosovë, ata janë konsumatorë nën 800 kWh në muaj, sepse nuk qëndrojnë për kohë të gjatë në Kosovë”, ka shtuar ai.

Në Kosovë, sipas regjistrimit të fundit të popullsisë, rezulton se 182 mijë banesa janë të pabanuara.

Nëse këto i konsiderojmë si njësi banesore të mërgimtarëve, i bie që ata përbëjnë 25% e 730 mijë konsumatorëve që ka KESCO në tërësi.

E sipas profesor Qerimit, diaspora hyn te konsumatorët nën 800kWh në muaj, për shkak se zakonisht ata i kalojnë vetëm disa javë në Kosovë.

Vendimi ZRRE-së për rritje mesatare të çmimit të energjisë prej 16.1%, ka nxitur reagime të mëdha, madje është paralajmëruar se ky vendim do të dërgohet në Gjykatë, por deri tash qeveria në detyrë ka heshtur karshi tij.