Arbëri

Ekspertët e sigurisë: E izoluar vrasja e policit serb, të mos politizohet

Rast të izoluar dhe që s’duhet të politizohet po e cilësojnë njohësit e çështjeve të sigurisë vrasjen e një zyrtari policor serb. Sipas tyre, ky rast mund të shfrytëzohet nga autoritetet serbe për ta goditur Kosovën, por që kjo “s’duhet të ketë ndikim”.

Njohësi Skender Perteshi, ka deklaruar se rasti i vrasjes së një zyrtari policor serb është i izoluar, duke u shprehur se nëse vepra është kryer nga një kosovar, atëherë ai duhet të ndiqet nga autoritetet.

Perteshi është shprehur të enjten në “60 Minuta” të KTV-së se kjo mund t’ia dëmtojë imazhin shtetit të Kosovës, por kërkoi që të plasohen vetëm informata të sakta.

“Ky është një rast i izoluar, një kriminel ordiner, që ka vuajtur dhjetëra vite burg. Ka ikur nga burgu dhe është larguar nga Kosova. Kosova ka qenë duke e kërkuar këtë person, po flasim për një person si rast të izoluar. Ky rast po trajtohet në mënyrë shumë të matur. Një person që është në kërkim po dyshohet se ka ndërmarrë një veprim të tillë. Nga ana e Serbisë nuk presim diçka tjetër, edhe Daçiqi dhe zyrtarë të tjerë janë mjeshtër të manipulimit dhe propagandës. Kanë tentuar ta lidhin këtë me elemente të terrorizmit”, është shprehur Perteshi.

Sipas tij, institucionet e sigurisë të Kosovës duhet të jenë maksimalisht të fokusuar dhe të shkëmbejnë informacione me ato serbe apo me EULEX-in “për të zbardhur këtë rast”.

Për të arratisurin nga burgu, Faton Hajrizi, Perteshi është shprehur se ai do të arrestohet “pasi askush nuk mund t’i ikën ligjit”.

“Kosova është e lidhur me vendet demokratike. Po flasim për një person për të cilin informacioni qarkullon në të gjitha mediat. Ai vendoset në kërkim ndërkombëtar dhe arrestohet”, ka shtuar ai, derisa ka theksuar se nuk i fajëson autoritetet kosovare për ikjen e tij.

“Nuk shoh dështim të institucioneve pse ishte vendosur në burg të hapur sepse këto vlerësime janë procedura, njerëzit kur sillen mirë punojnë me institucionet e drejtësisë, përfitojnë”.

E, njohësi i sigurisë dhe kriminalistikës, Arben Dashevci, ka thënë se vrasja e policit në Serbi të enjten është ngjarje e izoluar dhe nuk duhet të politizohet në asnjë mënyrë.

Dashevci ka thënë se nuk pritet që kjo ngjarje të sjellë tension pasi është akt kriminal i një të arratisuri.

“Ne si qytetarë duhet të presim komunikatat nga organet tona të zbatimit të rendit dhe ligjit, flitet për një të arratisur që ende gjithçka është në zhvillim, mirëpo ashtu siç e ka proklamuar ministri i Brendshëm i atij shteti ajo nuk qëndron, sepse nuk ka sulm terrorist, është një arratisje e një të kërkuari edhe nga Republika e Kosovës. Është ngjarje e izoluar që nuk duhet politizuar assesi dhe në asnjë rast. Nuk e pres as një të vetmin tension pasi është një akt kriminal që ka ndodhur, është një i arratisur dhe nuk mund dhe nuk do të politizohet sepse nuk ka asnjë argument që të cilësohet ashtu siç e cilësojnë të tjerët, sepse do të jemi të prirë t’i besojmë institucioneve tona”, ka thënë ai.

Dashevci ka shtuar se Serbia do të tentojë ta stërmadhojë ngjarjen dhe ta nxjerrë nga binarët e së vërtetës.

“Duke pasur parasysh që e vërteta është ndryshe, do të krijojë edhe panik te qytetarët atje, por ngjarjet e kohëpaskohshme do ta tregojnë se nuk ka të bëjë me asgjë terroriste”, ka theksuar ai.

Ai tutje ka thënë se situata e sigurisë në veri është normale, por sipas institucioneve është e qetë, e brishtë, por me tentim tensionimi.