Në planin e biznesit për vitin 2025, ndërmarrja “Trepça” ka planifikuar rreth 33 milionë euro të hyra nga shitja e koncentratit për 13 njësitë biznesore që ka. Sipas kësaj ndërmarrjeje, rreth 14 milionë euro të hyra priten të jenë nga miniera e Stantërgut, kurse mbi 5 milionë euro nga ajo e Artanës
Mbi 33 milionë euro, pritet të jenë të hyrat e ndërmarrjes “Trepça” nga shitja e koncentratit për 13 njësitë biznesore, sipas Planit të Biznesit të vitit 2025.
Sipas këtij plani, kjo ndërmarrje pritet të ketë 11 milionë e gjysmë euro të hyra më shumë sesa që ishin paraparë me planin e biznesit për vitin 2024.
Në minierën e Stantërgut, ndërmarrja “Trepça”, ka planifikuar të ketë të hyra rreth 14 milionë euro.
“Sipas këtij plani, parashihet që gjatë vitit 2025 nga miniera e Stantërgut të eksploatohen 145,533.00 tonë xehe me kualitet Plumb 3.14 % dhe Zink 2.91 %. Nga kjo xehe parashihet të përfitohen 4,513.18 tonë koncentrat Plumb dhe 5,791.61 tonë koncentrat Zink. Vlera e këtij koncentrati parashihet të jetë koncentrati i Plumbit 7,945,441.61 € dhe koncentrati i Zinkut 4,250,923.24 €. Gjithsej të hyra nga shitja e koncentratit dhe të hyrat e tjera pritet të jenë 14,225,364.84 €”, thuhet në planin e biznesit të “Trepçës”.
Të hyra më të vogla sesa miniera e Stantërgut, pritet të ketë ajo e Artanës.
Sipas planit të biznesit, të hyrat për vitin 2025 pritet të jenë mbi 5 milionë euro.
“Në minierën e Artanës, sipas Planit të Biznesit 2025, parashihet që gjatë vitit 2025 të eksploatohen 42,000.00 tonë xehe me kualitet Plumb 2.5 % dhe Zink 3 %. Nga kjo xehe parashihet të përfitohen 1,098.00 tonë koncentrat Plumb dhe 2,003.00 tonë koncentrat Zink. Vlera e këtij koncentrati parashihet të jetë koncentrati i Plumbit 2,931,660.00€ dhe koncentrati i Zinkut 1,275,911.00 €. Gjithsej të hyra nga shitja e koncentratit dhe të hyrat e tjera 5,648,007.52 €”, thuhet në plan të biznesit.
Por njohësi i çështjeve ekonomike, Fidan Qerimi, thotë se ndërmarrja “Trepça”, është bazuar në planin e biznesit të vitit 2024, gjë që sipas tij, kjo ndërmarrje nuk pritet të ketë përmirësim të gjendjes as në vitin 2025.
“Sa i përket planit të biznesit për vitin 2025, mendoj që është jashtëzakonisht ambicioz duke pasur parasysh se rrethanat e Trepçës në të cilën ndodhet aktualisht është jashtëzakonisht joprofesionale që të bazohet në planin e biznesit të vitit të kaluar”, ka thënë ai.
Qerimi ka përmendur disa arsye pse ky plan nuk mund të përmbushet.
“Duke pasur parasysh sa kohë kanë qenë grevat e punëtorëve ose mungesa e materialeve operative siç janë eksplozivi për hapjen e terreneve të reja kjo lë të kuptohet që plani i vitit të kaluar ka qenë jashtëzakonisht jo i arritshëm dhe besoj që këtë vit, rrethanat nuk do të jenë të tjera, sepse nuk kemi pasur zhvillim për përmirësim të gjendjes brenda kompanisë”, ka thënë Qerimi.
Në Ministrinë e Ekonomisë nuk kanë kthyer përgjigje tash e një javë lidhur më këtë çështje.
Sipas të dhënave të Trepçës, gjatë viti 2024 nga miniera e Stantërgut janë eksploatuar 95,452 tonë xehe, kurse nga ajo e Artanës 27,458 tonë xehe.