Arbëri

Ekonomistët thonë se tarifat e reja të energjisë mund të ndikojnë te çmimi i produkteve të tjera

Vendimi i Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtim të tarifave të rrymës prej 16.1 për qind për të gjithë konsumatorët është përcjellë me paralajmërime për mundësinë e rritjes së çmimeve të produkteve të tjera. Ekonomistët shpresojnë që të mos ketë abuzim nga tregtarët

Vendimi për rritje të çmimit të energjisë elektrike prej 16.1 për qind pritet të nxisë valë të re të rritjeve të çmimit të produkteve dhe shërbimeve. Pak orë pas vendimit është përfolur për rritje të çmimit të bukës, duke përmendur edhe shifra prej 20 centë më shumë. 

Por, kryetari i Shoqatës së Mullistëve, Bashkim Zejnullahu, edhe pse pranon se rritja e tarifave do të ketë ndikim në rritje të çmimit të miellit, ai thotë se rritja nuk mund të jetë më e madhe se 1.5 për qind.

“Nëse flasim për 16.1 për qind e cila është tarifa e ZRRE-së për rritje të energjisë elektrike, në përqindje të miellit i bie të jetë diku për 1 - 1.5 për qind rritje të çmimit të miellit. Nëse e marrim te buka nuk e di se si reflekton, se nuk mund të bëjë kalkulime të sakta, por e gjitha reflekton në zinxhirë. Te ne rritet 1 -1.5 për qind, edhe ata kanë 1.5 për qind, pra mund të kenë deri në 3 për qind”, ka thënë ai.

Sipas tij, nëse çmimi është 50 centë, i bie të rritet diku për 2.5 centë.

Se rritja e çmimit të energjisë pritet të reflektohet në produktin final e thotë edhe Visar Vokrri, hulumtues në Institutin Riinvest. Ai pret që tregtarët të mos abuzojnë me çmimet.

“Natyrisht si çdo lloj imputi edhe rryma elektrike, rritja e çmimit të energjisë do të reflektohet në çmimet e produkteve finale. Natyrisht te sektorët të cilët janë më intensivë në përdorim të rrymës do të jetë më i madh. Unë pres që të mos ketë abuzime që të përdoret si arsyetim rritje e çmimit të energjisë elektrike për të rritur çmimet e produkteve dhe shërbimeve që sot janë në treg, pasi jo të gjithë konsumatorët në sektorin e biznesit afektohen njësoj”, ka theksuar ai.

Bazuar në një studim të Bankës Botërore, nëse në shtetet e zhvilluara rritet çmimi i energjisë elektrike për 10%, atëherë efekti është 1.5% në përgjithësi. 

Sipas ekonomistëve, bazuar në këtë indikator, çmimet nuk mund të rriten më shumë se 2-4 për qind.
E profesori i ekonomisë, Ilir Hajdini, ditë më parë ka theksuar se shtrenjtimi i përfolur i çmimit të rrymës deri në 15 për qind do ta rrisë shportën e konsumatorit nga 30 deri në 70 euro në muaj. Ndikim sipas tij do të ketë edhe te bizneset prodhuese dhe te shërbimet tregtare. 

“Do të ndikojë në rritjen e importeve në raport me eksportet. Shumë biznese do të preferojnë të blejnë produkte prej kompanive të huaja për arsye se kompanitë vendore do të vendosen në situatë më pak të favorshme dhe do të jenë më pak konkurruese në tregjet e huaja”, ka deklaruar ai.

Të dhënat e Agjencisë së Statistikave tregojnë se çmimet e konsumit kanë shënuar rritje në muajin maj, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Rritja është për 2.9 për qind. 

ZRRE-ja të mërkurën ka miratuar tarifat e reja të energjisë, të cilat do të hynë në fuqi nga 1 maji. Kundër këtij vendimi pritet të ketë sërish protesta të qytetarëve të organizuara nga nisma “Asnjë centë më shumë”. 

Opozita ka paralajmëruar se me t’u formuar institucionet do të iniciojnë shkarkimin e Bordit të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë.