Arbëri

Ekonomia nis të tronditet nga rritja e çmimit të energjisë

Foto: Driton Paçarada / Koha

Rritja e çmimeve të energjisë elektrike në Evropë ka prodhuar efektet e para në ekonominë e Kosovës. Fabrika e Ferronikelit ka pezulluar punën, ndërsa KEDS-i ka paralajmëruar mundësinë e shtrenjtimit të tarifave për konsumatorët. Në shoqërinë civile i kanë bërë thirrje Qeverisë për t’u përgatitur që të ballafaqohet me krizën energjetike që pritet

Kanë nisur të ndihen efektet në ekonominë e Kosovës, pas rritjes së çmimeve në tregjet e energjisë. Kompania NewCo Ferronikeli, në të cilën zhvillojnë aktivitet rreth njëmijë të punësuar, ka kumtuar pezullimin e aktivitetit.

Në një njoftim adresuar mediave, në këtë kompani kanë thënë se detyrohen ta ndërpresin përkohësisht prodhimin për shkak të rritjes së vazhdueshme të çmimit të energjisë elektrike në tregjet evropiane.

“Katërfishimi i çmimit të energjisë ka çuar në marrjen e këtij vendimi që do të zgjasë deri në një moment të dytë kur çmimet të normalizohen”, thuhet në njoftim. “Vendimi për ndërprerjen e plotë dhe të përkohshme të prodhimit nuk ka qenë një vendim i lehtë, por është opsioni i vetëm i mbetur, pasi prej disa muajsh janë tentuar të gjitha rrugët e mundshme, duke kërkuar edhe ndihmën e Qeverisë me gjenerimet vendore të energjisë”.

Për mundësinë e rritjes së çmimit për konsumatorët, foli në emisionin e mëngjesit në KTV edhe zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala.

“Ne kryesisht blejmë në berzën Hubeks të Hungarisë dhe çmimet atje kanë fluturuar. Do të thotë janë diku 190 euro për megavat, ndërsa ne vjet e kemi blerë 40 deri në 50 euro për megavat. Do të thotë po flasim për tre-katërfishim të çmimit që sigurisht është sinjal jashtëzakonisht i keq për atë që mund të ndodhë pas disa muajve”, ka thënë ai.

Në shoqërinë civile kanë treguar pasojat e rritjes së çmimeve që pritet të bëhet.

Dardan Abazi, nga INDEP-i, thotë se rritja e çmimeve të energjisë do të ndikojë në përkeqësimin e mirëqenies së qytetarëve.

“Duhet ta themi hapur që një pjesë e konsumatorëve do të dëmtohen më së shumti, e ata janë konsumatorët që edhe tanimë e kanë të vështirë t’i përballojnë faturat e energjisë elektrike”, thotë Abazi.

Ai ka dhënë edhe disa rekomandime për Qeverinë.

“Fillimisht, të bëjë formimin e fondit për konsumatorët në nevojë, pastaj të përfundojë masa për rritjen e efiçiencës së energjisë, pra që ta kontrollojmë kërkesën për energji e të mos kemi nevojë për import, si dhe të ketë një pako të re të rimëkëmbjes, e cila do të fokusohet në transformimin e sistemit energjetik dhe në mbrojtjen e konsumatorëve më të cenueshëm nga kjo rritje e faturave të energjisë, e cila pritet të ndodhë nëse jo sivjet, vitin e ardhshëm”, ka theksuar Abazi.

Për rritjen e çmimeve që pritet të bëhet, kanë nisur të merren masa në rajon dhe Evropë.

Të premten, Qeveria e Shqipërisë ka shpallur emergjencë në furnizimin me energji elektrike, e për të shtunën ka paralajmëruar ta prezantojë planin për përballimin me këtë situatë.

“Është një situatë shumë e ngjashme nga aspekti i goditjes me situatën e pandemisë. Në këtë kuptim të gjithë janë të prekur”, ka thënë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. “Ndryshe nga pandemia, vende të ndryshme kanë karakteristika të ndryshme. Ekspertët mendojnë se kriza do të jetë prezent me kulmin e saj deri në mesin e vitit të ardhshëm. Edhe pas kapërcimit të kulmit, çmimet nuk do të kthehen aty ku ishin më parë. Ajo që na takon është t’i mbrojmë konsumatorët tanë”.

Por, në Qeverinë e Kosovës nuk ka pasur ndonjë reagim deri tash.

E NewCo Ferronikeli që e pezulloi punën gjatë ditës, kumtoi se paraprakisht kishte kërkuar ndihmë nga ekzekutivi.

“Drejtuesit e NewCo Ferronikeli L.L.C, në kërkim të zgjidhjes, i janë drejtuar me shkresa informacionesh mbi krizën e energjisë edhe Qeverisë së Kosovës, përkatësisht kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe ministrave të dikastereve përkatëse, për ndihmë në tejkalimin e kësaj situate të jashtëzakonshme”, thuhet në njoftim. “Ndërmarrja kërkoi ndërhyrjen e Qeverisë jo për të krijuar fitime, por për të shmangur ndaljen e prodhimit dhe në mënyrë që të mos mbesin pa vende pune mijëra punëtorë”.