Ekipi që e përfaqësoi Kosovën në garën në “Fia Motorsport Games” në Valencia gjatë fundjavës, është bllokuar në aeroportin e këtij qytetit spanjoll pas përmbytjeve që kanë ndodhur.
Një grup prej rreth 30 personash janë duke qëndruar në këtë aeroport qysh prej të martës në mbrëmje.
Në aeroportin e Valencias janë anuluar fluturimet pasi shirat e rrëmbyeshëm bllokuan edhe pistën. Në uebfaqen e Aeroportit shihet se ka ende fluturime që po anulohen.
Ekipi nga Kosova ishte paraparë të nisej prej Valencias në mbrëmje e të mbërrinte në Tiranë në orët e para të së mërkurës.
Kryetari i Federatës së Autosporteve të Kosovës (FASK), Ismet Rexhepi, ka thënë se fillimisht s’kanë kërkuar ndihmë nga askush për shkak se ishin të bllokuar brenda Aeroportit. Ai po ashtu ka thënë se deri tash nuk ka asnjë kontakt as nga autoritetet e Kosovës.
“Tani po mundohemi të sigurojmë akomodim për grupin dhe po presim deri nesër nëse do të hapet Aeroporti. Për momentim e kemi të vështirë të qarkullojmë edhe me automjete apo trena, prandaj nuk po mundemi me lëvizë më shumë se 3 kilometra prej rreth Aeroportit”, ka thënë ai për KOHËN.
KOHA i ka dërguar pyetje në mënyrë elektronike Ministrisë së Punëve të Jashtme për informacione lidhur me çështjen. Sapo të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.
Pas përmbytjeve të shpejta në Spanjën juglindore, raportohet për më shumë se 50 të vdekur.
Në këtë garë, Kosova u përfaqësua nga 7 garues.