Oliver Ropke, kryetar i EESC-së, ka thënë se për pranim kusht formalisht ka qenë që vendet të jenë kandidate për anëtarësim në BE-së, prandaj dhe Kosova, pasi që nuk e ka statusin e vendit kandidat, nuk ka mundur të ketë përfaqësues të saj në këtë institucion të Bashkimit Evropian. EESC-ja ka pranuar si anëtare Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën, të cilat formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun evropian
Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian (EESC), një trup këshillëdhënës i Bashkimit Evropian (BE), ka pranuar për herë të parë të enjten anëtarë nga vendet kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.
Kësisoj EESC-ja është bërë institucioni i parë i BE-së që e dëshmon simbolikisht por edhe praktikisht mënyrën se si vendet kandidate mund të integrohen gradualisht në Bashkim Evropian edhe para se të bëhen anëtare formale të bllokut. Mirëpo, Kosova është lënë jashtë këtij procesi, ani se është në procesin e zgjerimit.
Oliver Ropke, kryetar i EESC-së, ka thënë se për pranim kusht formalisht ka qenë që vendet të jenë kandidate për anëtarësim në BE-së, prandaj dhe Kosova, pasi që nuk e ka statusin e vendit kandidat, nuk ka mundur të ketë përfaqësues të saj në këtë institucion të Bashkimit Evropian. EESC-ja ka pranuar si anëtare Shqipërinë, Bosnjë-Hercegovinën, Gjeorgjinë, Malin e Zi, Maqedoninë e Veriut, Moldavinë, Serbinë, Turqinë dhe Ukrainën, të cilat formalisht janë vende kandidate për anëtarësim në bllokun evropian.
Ropke ka theksuar se kjo nismë e shënon një hap të rëndësishëm drejt integrimit gradual të shteteve kandidate, para se ato formalisht të anëtarësohen në BE. Ai ka shtuar se pret që kolegët nga këto shtete të sjellin përvojë të dobishme në punën e institucionit që ai udhëheq.
E komisionerja evropiane, Vera Jourova, ka thënë se zgjerimi i BE-së është interes i përbashkët, rrugë e dyanshme që sjell dobi edhe për vendet kandidate, edhe për BE-në. Ajo ka bërë thirrje që vendet kandidate të fokusohen në vlerat e demokracisë dhe të lëvizin drejt BE-së, duke i respektuar vlerat e përbashkëta, veçmas sundimin e ligjit dhe lirinë e mediave.
Ky hap i Komitetit Ekonomik dhe Social Evropian është përshëndetur edhe nga institucionet e tjera, si dhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, dhe nga kryeministri i Malit të Zi, Milojko Spajiq, të cilët kanë qenë të pranishëm në seancën plenare të së enjtes së këtij komiteti.
Anëtarët e rinj nga vendet kandidate kanë marrë pjesë për herë të parë edhe në punimet e EESC-së dhe ata do të jenë të barabartë me kolegët e tyre nga BE-ja në këtë institucion, me përjashtim të së drejtës së votës të cilën nuk do ta kenë, ngase kjo është e drejtë e rezervuar veç për vendet anëtare të bllokut evropian.
Kryeministri i Shqipërisë, Rama, e ka përshëndetur këtë hap duke e quajtur “dëshmi edhe për qytetarët se integrimi në BE është diçka reale, sepse nëse nuk do të ketë hapa të tillë atëherë mund të krijohet përshtypja se vetëm po përsëriten qëllimet e mira, por nuk ka rezultate konkrete.
EESC-ja është trup i BE-së që merret me çështje sociale dhe ekonomike, ndërsa në këtë komitet marrin pjesë përfaqësuesit e shoqërisë civile, të sindikatave, të punëdhënësve dhe të sektorëve të ndryshëm të industrisë. Në BE ky institucion ka rolin këshillëdhënës.