Arbëri

Edhe sulmohen seksualisht, edhe mbeten pa punë

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!

Vajzat dhe gratë janë viktimat më të mëdha në ngacmimeve e sulmeve seksuale në vendin ku e zhvillojnë profesionin. Një nga to tregoi se u detyrua të largohet nga një klub sporti, shkaku i ngacmimeve sistematike. Nga janari deri në fund të nëntorit në Polici janë raportuar 96 raste të ngacmimit e 73 të sulmit seksual, statistika më të larta krahasuar me vitin e shkuar. Aktiviste të të drejtave të grave shprehën shqetësimin për mungesë të vendimeve gjyqësore meritore, meqë është e vështirë të vërtetohet para gjykatës ngacmimi seksual

 

Një 20-vjeçareje iu pre në gjysmë ëndrra për t’u bërë yll në një sport, të cilit s’iu nda që prej se ishte e vogël.

Karrierës në një klub në Kosovë i dha fund kur një anëtar i stafit nisi ta ngacmojë seksualisht.

“Përveç pasojave psikologjike dhe emocionale që kam pasur, jam penalizuar edhe nga zhvillimi i profesionit tim. Nuk jam ndier e sigurt nga fjalët e tij prandaj kam vendosë të distancohem para se të ndodhë ndonjë incident”, ka treguar ajo në kushte anonimiteti.

Ajo thotë se ndonëse i barti pasojat, ngacmuesi vazhdon të jetë në klub.

“Sot, ngacmuesi vazhdon profesionin në vendin ku ka qenë më parë, ndërsa unë e kam ndërruar”, ka thënë ajo.

Vajzat dhe gratë shpesh përballen me ngacmime e sulme seksuale.  Të dhënat e Policisë tregojnë për rritje trendi. 

Nga janari deri në fund të nëntorit në Polici janë raportuar 96 raste të ngacmimit e 73 të sulmit seksual, statistika më të larta krahasuar me vitin e shkuar. në vitin 2023, janë raportuar 76 raste të ngacmimit e 68 të sulmit seksual. Ndërkaq, vitin e shkuar pati 108 raste dhunimi, e deri në fund të nëntorit 72.

Në hapësirën ECR që KOHA ua ka ofruar qytetareve për të treguar mbi format më të zakonshme të diskriminimit, 23.1 për qind deklaruan se janë ngacmuar seksualisht.

Anketa të tjera, sikur ajo e Grupit për Studime Gjinore, mbështesin këtë të dhënë, ani se në Kosovë nuk ka statistika zyrtare për ngacmimet seksuale. Sipas anketës së 2023-s, del se mbi 15 për qind e grave kanë qenë të ekspozuara ndaj incidenteve të ngacmimit seksual, në vendin e tyre të punës në sektorin privat. 

Ndërkaq, një hulumtim i GKSGJ-së i 2020-s tregoi se ekspozim të ngjashëm patën edhe 16 për qind e të anketuarve, që janë të punësuara në sektorin publik.

E, në hapësirën ECR, 76.9 për qind e atyre që u përgjigjën, thanë se nuk janë ankuar diku. Në Rrjetin e Grave thonë të jetë problem kjo.

“Fatkeqësisht hierarkia tenton t’i mbrojë ata që qëndrojnë më lart në pozitë dhe kjo ka ndikuar që ndoshta edhe gratë të zmbrapsen ose ta lëshojnë atë vend të punës tërësisht dhe të mbesin të papuna, ose të jetojnë me frikën e ngacmimit në baza ditore, sepse fatkeqësisht shumë pak bëhet brenda institucioneve për ta adresuar ngacmimi i cili ndodh aty”, ka thënë Adelina Berisha, aktiviste në Rrjetin e Grave.

Ngacmimi seksual është vepër penale. Por, avokatja Fehmije Gashi Bytyqi thotë se ndëshkueshmëria për këtë vepër është e ulët.

“Edhe nëse eprori, në atë kuptim, kujdestari, personi fetar, mjeku apo tjetri e përdor një ngacmim, në një farë mënyre, ndaj varësit, i bie prapëseprapë, domethënë, ndëshkueshmëria është gjashtë muaj deri tre vjet, që mendoj është shumë e ulët”, ka thënë avokatja Gashi Bytyqi.

Në Ministrinë Drejtësisë nuk kanë kthyer përgjigje mbi strategjitë për parandalimin dhe mbrojtjen e viktimave të kësaj forme të ngacmimit.

Aktiviste të të drejtave të grave shprehën shqetësimin për mungesë të vendimeve gjyqësore meritore, meqë është e vështirë të vërtetohet para gjykatës ngacmimi seksual.

Aktivistja Berisha thotë se një nga problemet lidhet me punën e gjykatave.

“Legjislacioni ynë barrën e provave e lë te ngacmuesi, mirëpo në anën tjetër, kur viktimat po e deklarojnë ngacmimin seksual prej tyre, po kërkohet të sjellin shumë dëshmi, e kjo është e pamundur. Sepse ne si gra dhe si vajza që e kemi përjetuar gjatë jetës tonë një apo ndonjë formë të ngacmimit seksual e dimë që të rralla janë rastet kur t’i ndihesh e fuqizuar dhe e nxjerr telefonin dhe tenton me e mbajtë një dëshmi”, ka thënë ajo.

E, avokatja Gashi-Bytyçi thotë se kur rastet humben në gjykatë, shpesh viktimave kjo u kushton edhe me vendin e punës.

“Në praktikën gjyqësore është tejet vështirë për t’u vërtetuar këto ngacmime seksuale brenda vendit të punës. Aq më tepër kur këto raste, sidomos nëse një femër, një grua e denoncon para eprorit të tij apo para kolegëve tjerë, se ndihet e ngacmuar nga një koleg, shpeshherë ka ndodhë nga ato që kanë ardhur në zyrën time, ajo njëkohësisht e ka humbur edhe punën, për arsye se nuk ka mundur të vërtetohet një gjë e tillë në gjykatë”, ka thënë ajo.

Si ngacmim seksual definohet çdo sjellje e padëshiruar e natyrës seksuale që cenon apo poshtëron dinjitetin e tjetrit.