Me një ceremoni solemne të martën janë nisur nga qyteti Blagoevgrad për në Kosovë edhe rreth 100 ushtarë shtesë bullgarë për t’iu bashkuar KFOR-it.
Numri total i bullgarëve në kuadër të KFOR-it tash ka arritur në rreth 300, ka njoftuar agjencia bullgare e lajmeve “BTA”.
Shefi i Mbrojtjes i Bullgarisë, admirali Emil Eftimov, ka thënë se urdhri për aktivizimin e kontingjentit ka ardhur të premten në mbrëmje. Ai ka thënë se ushtria bullgare synon të japë kontributin për stabilitet dhe qetësi në Ballkanin Perëndimor.
“Dua të theksoj se urdhri për aktivizimin e kontingjentit ka ardhur të premte në mbrëmje, të martën po dërgojmë një kontingjent. Më shumë se 100 ushtarakë, të pajisur, të motivuar, të gatshëm për t’i përmbushur detyra”, tha Eftimov.
I pyetur nga një gazetar nëse ekziston rrezik në Kosovë duke marrë parasysh se po rritet numri i kontingjentit, Eftimov tha se situata është stabile. Ai kujtoi kohën kur në Kosovë kishte afro 50 mijë trupa dhe se me kalimin e kohës numri është zvogëluar.
“Për momentin janë rreth 5 mijë trupa, që mendoj se për momentin është mjaftueshëm dhe përputhet me situatën”, ka thënë Eftimov. “Situata është stabile, ka reagim për çdo situatë që mund të zhvillohet, prandaj komandanti i misionit ka kërkuar që të aktivizohet ky kontingjent shtesë. Kontigjenti do të vendoset për një periudhë prej gjashtë muajve, pas së cilës, nëse s’do të ketë ndryshim të situatës, do të ketë rotacion”.
Ushtarët e përfshirë janë kryesisht nga Komanda e Brigadës së Tretë të Blagoevgradit.
Të hënën në Kosovë ka arritur edhe një kontingjent i ri i ushtarëve kroatë.