Ka dështuar për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës. Për të katërtën herë kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur që të sigurojë më shumë se 57 vota. Kundër kanë votuar PDK-ja e LDK-ja, ndërkohë që kanë abstenuar tre deputetët e Nismës Socialdemokrate. Seanca e radhës do të mbahet të dielën, 27 prill. Të gjitha zhvillimet rreth seancës konstituive do të mund t’i lexoni këtu.
Kusari-Lila: Afati për konstituim të Kuvendit përfundon më 27 prill
Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari-Lila, i është referuar Kushtetutës së Kosovës për afatin për konstituimin e Kuvendit, megjithëse një gjë të tillë Kushtetuta nuk e qartëson tërësisht.
Ajo ka përsëritur se opozita po e bllokon procesin duke votuar kundër kandidates për kryetare të Kuvendit.
“Është e paraparë në Kushtetutë që 30 ditë pas certifikimit të rezultatit zgjedhor është e paraparë që të konstituohet Kuvendi. Ai 30 ditësh është ditë e diel, më 27 prill. Kjo situatë nuk është se mund të shkojë në pafundësi, mund të sjellë në një rrethanë tjetër ku diskutimi i përbashkët me subjekte po afrohet gradualisht një datë tjetër e zgjedhjeve”, ka thënë ajo.
Në neni 66 të Kushtetutës thuhet se "Kuvendi i Kosovës zgjidhet me mandat katërvjeçar, duke filluar nga dita e seancës konstituive, që mbahet brenda tridhjetë (30) ditësh nga dita e shpalljes zyrtare të rezultateve të zgjedhjeve".
Sipas Kusari-Lilës kjo është “një derë për të kërkuar interpretim tjetër mbi afatet”.
“Për këtë procedurë nuk ka aktgjykim të Kushtetuese, por mbase ky mund të jetë hapi i radhës”, është shprehur Kusari-Lila.
Murati: Opsioni i fundit zgjedhjet, kërkojmë reflektim për konstituim të Kuvendit
Deputeti i LVV-së, Hekuran Murati, ka theksuar se zgjedhjet janë opsioni i fundit dhe se LVV-ja nuk ka qëllim që vendin ta çojë në zgjedhje.
“Nuk është qëllimi ynë të shkojmë në zgjedhje, ai do të ishte opsioni i fundit për ne, nëse në fund të ditës, Kuvendi, deputetët refuzojnë ta konstituojnë Kuvendin, atëherë opsioni i fundit mbetet ai”, ka deklaruar Murati pas dështimit të konstituimit të Kuvendit.
“Neve na takon që të bëjmë thirrje për reflektim te subjektet parlamentare që të votojnë”, ka shtuar Murati.
Sipas tij në këtë fazë shumicën se kanë as partitë e tjera.
“Kemi parë që edhe tabori tjetër që po voton kundër i ka vetëm 46 vota, nuk është që vota kundër janë 61, duhet konsensus politik”, është shprehur ai, duke shtuar duhet konsensus politik për dalje nga situata.
Ai i ka akuzuar partitë që në legjislaturën e kaluar kanë qenë në opozitë për siç ka thënë, taktizimi dhe bllokim të konstituimit të Kuvendit të Kosovës.
“Kundërshtitë që po bëhen kanë të bëjnë me shumë me taktizime sesa që kemi të bëjmë me ndonjë arsye konkrete, Albulena Haxhiu, është gruaja me e votuar në zgjedhjet e fundit, pra ka çdo të drejtë dhe është larg mëndësh të thuhet që nuk i plotëson kushtet, realisht kushtin e plotëson secili deputet dhe ne kemi shkuar edhe më tutje duke propozuar një grua për kryetare të Kuvendit”, ka theksuar Murati, duke shtuar se nuk do ta ndryshojnë emrin e kandidatit për kryeparlemntar.
VIDEO: Deklarata e plotë
Krasniqi: Për teket e një deputeteje, VV-ja po e mban peng shtetin
Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka thënë se Vetëvendosja po e bllokon qëllimisht konstituimin e Kuvendit sepse nuk i ka numrat për qeverinë.
Ai ka përsëritur se VV-ja duhet ta ndërrojë propozimin për kandidaten për kryeparlamentare, e jo të veprojë për “teke të një personi”.
“Bllokada është e qëllimshme dhe po vjen nga VV-ja si parti e parë që i takon propozimi. Është e pakuptime, e turpshme që për teket e një personi, një kandidati, një deputeteje me mbetë peng shteti. Kjo është pengmarrje e shtetit të Kosovës për tekat e një partie e një kandidati. Kanë pasur mundësi që ta ndërrojnë kandidaten sepse nuk imponohen kandidati kur s’e ke shumicën parlamentare. Problemi është që këta nuk e kanë shumicën, nuk kanë numra për Qeveri dhe fakti që Albin Kurti s’mundet me qenë kryeministër i ardhshëm është duke i mbajtur peng institucionet dhe shtetin”, ka thënë ai pas dështimit të seancës për konstituimin e Kuvendit.
Krasniqi ka shtuar se ka edhe emra të tjerë në radhët e VV-së që PDK-ja nuk i voton po ashtu.
“Hapin e parë e ka personalisht Albin Kurti si kryetar i VV-së. Ai duhet ta ndërrojë këtë kandidat. Ose duhet me konstituu kuvendin ose me shku me marrëveshje politike, me shku në zgjedhje të jashtëzakonshme, nuk ka zgjidhje tjetër”.
Dështon për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit
Ka dështuar për të gjashtën herë konstitutimi i Kuvendit të Kosovës.
Për të katërtën herë kandidatja e Vetëvendosjes për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu, nuk ka arritur që të sigurojë më shumë se 57 vota.
Emri i saj është hedhur në votim pas propozimit që ka bërë deputeti Glauk Konjufca.
“Emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu, për kryetare të Kuvendit të Kosovës, ju kërkoj mirëkuptimin tuaj që ta zhbllokojmë situatën në të cilën kemi mbetur”, është shprehur Konjufca para procesit të votimit.
Balje: S’e ndryshojmë qëndrimin
Deputetja e zgjedhur nga komuniteti boshnjak, Duda Balje, ka thënë se nuk ndryshon qëndrim sa i përket votimit për kryetar të Kuvendit të Kosovës nga Vetëvendosje. Ajo ka deklaruar më herët se nuk do të votojë, derisa pati pohuar se do të jetë pjesë e opozitës.
“Nuk e ndryshojmë qëndrimin”, ka thënë ajo.
Balje është shprehur e zhgënjyer me qasjen e Qeverisë Kurti karshi komunitetit që ajo përfaqëson.
VIDEO: Deklarata e plotë
Limaj: S’kemi ndërruar qëndrim
Kryetari i Nismës Socialdemokrate, Fatmir Limaj, ka thënë se qëndrimi i tyre lidhur me konstituimin e Kuvendit nuk ka ndryshuar.
“Qëndrimi dhe votimi ynë është ashtu siç ka qenë edhe herët e kaluara”, ka theksuar shkurt Limaj para fillimit të vazhdimit të seancës konstitutive.
Limaj dhe dy deputetet e tjera të Nismës, tri herët e kaluara kanë abstenuar në votimin e Albulena Haxhiut të LVV-së për kryeparlamentare.
Takimet mes partive, Haradinaj: S’ka komunikim fare
Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se partia e tij është e gatshme të marrë pjesë në takime me përfaqësues të partive të tjera.
Siç ka deklaruar edhe më herët, ai ka përsëritur se AAK-ja e voton kandidatin konsensual të VV-së.
“I kemi cekë dy emra për me hapë rrugë, me siguri ka edhe të tjerë të pranueshëm”.
Haradinaj ka thënë se nuk ka pasur fare komunikim mes LVV-së e partive të tjera.
“Jo, sa di, nuk ka komunikim fare. Ne jemi të gatshëm të marrim pjesë në takime”.
PDK: Vetëvendosja duhet ta zhbllokojë situatën
Deputetja e PDK-së Vlora Çitaku, ka thënë se partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje është ajo e cila duhet ta zhbllokojë situatën për konstitutimin e Kuvendit.
Ajo ka thënë se çështja nuk është nëse ka ndërruar qëndrim PDK-ja.
“Nuk është çështje a ka ndërruar qëndrim PDK-ja, por a ka ndërruar qëndrim dhe a ka përpjekjeje për zhbllokim nga ana e subjektit të parë politik, pra Lëvizjes Vetëvendosje, ata duhet të zhbllokojnë situatën”, është shprehur Çitaku.
LDK-ja s’e voton asnjë kandidat të LVV-së
Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Armend Zemaj, ka thënë se LDK-ja do të vazhdojë të mos votojë kandidatin e Lëvizjes Vetëvendosje për kryetar të Kuvendit.
“Sigurisht se do të votojmë kundër, kuptohet, derisa është kjo situatë siç e ka sjellë vendin LVV-ja duke u sjellë si një parti thuajse ka fituar e vetme vullnetin e qytetarëve të Kosovës”.
Para nisjes së seancës konstituive, Zemaj ka theksuar se nuk ka asnjë emër nga LVV-ja që LDK-ja do ta votonte tash për tash.
“Nuk mund të ketë kandidat konsensual derisa arroganca dhe mënyra si bëhen politikat, si tenton kapjen e institucioneve, edhe konsensusi për ndonjë emër të përveçëm është i pamundur në këtë situatë”, përfundoi ai.
Deklartat e Vetëvendosjes, LDK-së dhe PDK-së:
Rexhaj: Ka tendenca për marrëveshje me Nismën, ende nuk është bërë
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Arbër Rexhaj, ka thënë ende nuk është arritur marrëveshje në mes të Vetëvendosjes dhe Nismës.
“Unë e di që ka pasur tendenca për ta bërë një marrëveshje, ajo marrëveshje ende nuk është bërë, dhe besoj që ditëve në vazhdim do të bëhet”, është shprehur Rexhaj, para nisjes së vazhdimit të seancës konstitutive.
Ai ka thënë se nuk e di se çfarë është diskutuar po ka tendenca të përafrimit të kërkesave që kanë të bëjnë me Nismën dhe Vetëvendosjen.
Peci: Një parti s’mund të bëjë propozime për partinë tjetër
Ministri në detyrë i Bujqësisë, Faton Peci, ka thënë se zgjidhje është zhbllokimi dhe konstituimi i Kuvendit.
“Mendoj që partitë opozitare ose partia për partinë tjetër nuk mund të bëjë propozime. Voton ose nuk e voton është zgjedhje e tyre. Rruga më e duhur dhe e arsyeshme është debllokimi dhe të shkohet drejt konstituimit të Kuvendit”, tha Peci.
I pyetur për arritjen e një marrëveshje me deputeten Duda Balje, Peci tha se di diçka për këtë duke mos treguar se cila është marrëveshja.“Di diçka, po nuk i di detajet”, tha Peci.