RIKTHEHET GAZETA

Edhe në këtë fundvit, “KOHA Ditore” vjen e shtypur në letër

KOHA Ditore u është rikthyer lexuesve në versionin e shtypur në letër. Në 48 faqet e saj, gazeta ofron rrëfime e analiza për ngjarjet që e shënuan vitin në politikë, arsim, shëndetësi, ekonomi, drejtësi, kulturë, sport e botë. Lexuesit që të shtunën blenë kopje të saj, në pikat e shitjes në “Meridian” dhe “Spar”, shprehën pritjen për rikthimin e gazetës së shtypur ditore.

Labinot Guri, qytetar nga Kaçaniku, të premten e pa një postim në rrjetet sociale se gazetën Koha Ditore edhe këtë fundvit mund ta lexojë të shtypur në letër.

E të shtunën, kur ajo doli në shitje, Guri e bleu gazetën e shtypur, numrin festiv të Kohës Ditore. U shpreh i lumtur, që të paktën në kohë festash, telefonin nuk do ta përdorë për t’u informuar.

“Përderisa sot kisha punë në Prishtinë, unë erdha nga Kaçaniku dhe i printova disa materiale për studime edhe vendosa ta blej, në fakt mezi e gjeta lokacionin dhe e bleva. Është një dëshirë që ta kemi në formë të letrës gazetën, përveç portaleve që ekzistojnë. Përpos që i lexoj dhe i plotësoj edhe fjalëkryqet, unë i ruaj gazetat”, tha Guri.

E çfarë e pret Gurin kur të fillojë shfletimin dhe leximin e gazetës, tregon kryeredaktorja e KOHËS, Brikenda Rexhepi.

“Në këtë numër të vitit të ri, si zakonisht, ka përmbajtje të ndryshme të zhanreve të ndryshme të gazetarisë, shkrime pak më të gjata se që jemi mësuar t’i lexojmë për çdo ditë nëpër portale dhe shpresoj që lexuesit do të kënaqen me të”, tha Rexhepi.

Rexhepi shprehu optimizmin se në një të ardhme të afërt, gazetën, lexuesit do ta kenë në dispozicion çdo ditë.

“Ne po përpiqemi që së paku njëherë në vit ta kthejmë te lexuesit tanë ndjesinë e letrës, me shpresën çdo herë që do të vijë koha që ta kemi sërish një gazetë ditore në Kosovë. Na mungon, më së shumti neve që e kemi aplikuar gazetarinë e shkruar, por edhe lexuesve tanë dhe besoj, do duhej edhe gjeneratave të reja meqenëse është një lloj tjetër gazetarie për të cilën kemi nevojë edhe si shoqëri, edhe si komunitet”, tha ajo.

Koha Ditore doli për herë të parë më 1 prill të 1997-s, por shtypja e saj u ndërpre gjatë pandemisë Covid-19, shkaku i masave të Qeverisë. Megjithëkëtë, KOHA vazhdon t’ua ofrojë gazetën lexuesve në formë digjitale në portalin Koha.net. E që nga viti 2020, u shtyp vetëm për numra festivë të fundvitit.