Arbëri

E normuar përjashtimi i të moshuarve nga shërbimet në Psikiatri

Psikiatria

SHSKUK-ja e ka normuar që pacientëve mbi moshën 65-vjeç të mos u ofrohen shërbime në Klinikën e Psikiatrisë. Në Klinikë thanë se ofrojnë shërbime edhe për të moshuarit, por pranuan se u mungojnë kushtet për mjekësinë geriatrike, e cila nënkupton kujdesin e specializuar për nevojat unike shëndetësore të të moshuarve. Avokati i Popullit ka thënë se po përgatit një raport për këtë situatë.

Në uebfaqen zyrtare të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar (SHSKUK) është saktësuar mosha nga 18 deri në 65 vjeç e pacientëve që mund të pranohen dhe të trajtohen në repartet e Klinikës së Psikiatrisë. 

Për mohimin e shërbimit për të moshuarit ka ngritur shqetësimin edhe Avokati i Popullit, Naim Qelaj, i cili i ka thënë KOHËS se është duke u përgatitur një raport për këtë situatë.

“Gjetjet kanë rezultuar se Klinika e Psikiatrisë sipas kritereve të përcaktuara refuzon qasjen e personave mbi moshën 65-vjeçare”, ka thënë Qelaj.

Në Klinikën e Psikiatrisë mohuan mosdhënien e shërbimeve shëndetësore për pacientët mbi moshën 65 vjeçe, ndonëse thanë se vetëm trajtimi për ata të moshës nga 18 deri në 65 vjeç është e paraparë me rregullore.

Sipas drejtorit të Klinikës, Faton Kutllovci, klinika nuk i plotëson kushtet për mjekësinë geriatrike apo shërbimin mjekësor të fokusuar në ofrimin e kujdesit për nevojat unike shëndetësore të të moshuarve. 

“Do t’i ofronte të gjitha shërbimet që kanë nevojë personat e moshës së shtyrë. Një gjë duhet ta them, ligji aktual për shëndetin mendor parasheh që – nëse nuk jam gabim, nuk jam i sigurt, tash mos më cito me siguri ose mos ma kërko nenin – në institucionet psikiatrike mund të trajtohen personat prej moshës 18 deri në moshën 65 vjeçare. E them me përgjegjësi të plotë se në të gjitha rastet kur personat mbi moshën 65 vjeçare kanë pasur nevojë për të marrë shërbime, qofshin ambulatore ose spitalore në Klinikën e Psikiatrisë e kanë marrë dhe do ta marrin”, ka thënë drejtori Kutllovci. “Edhe pse Klinika e Psikiatrisë nuk është e thirrur për të ofruar shërbime geriatrike, por për personat që manifestojnë çrregullime mendore që janë mbi moshën 65-vjeçare jemi në shërbim përherë”.

Qendra për Informim dhe Përmirësim Social ka për qëllim përmirësimin e cilësisë së kujdesit të shëndetit mendor. Në të e demantuan menaxhmentin e Klinikës.

Përfaqësues të kësaj organizate thanë se institucionet shëndetësore në Kosovë nuk ofrojnë shërbime të specializuara për grupmoshat e shtyra dhe këtë përcaktim e kanë betonuar si kriter edhe në një rregullore të brendshme të Klinikës së Psikiatrisë.

“Në parim ata nuk mund t’i trajtojnë individët që kanë 65 vjet e më tutje, por ndoshta e marrin dikë në të zezë, por jo kështu që e kanë të definuar se kë munden ta trajtojnë e kë jo. Edhe kjo pak e bën pezull punën e tyre, kush definohet prej shërbimeve që mundet me ardhë me marr shërbim”, ka thënë Bind Skeja, drejtor i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social. “Ajo varet, krejt është në mëshirë aty të stafit që e konsiderojnë që kanë kapacitet për me e marrë, a kanë shtretër, a kanë mundësi”.

KOHA ka kërkuar nga menaxhmenti qasje në rregullore, por të enjten nuk e ka ofruar. 

Javën e shkuar, KOHA ka raportuar se pacientët mbi moshën 65 vjeç detyrohen t’i blejnë vetë protezat e kërdhokullës, kurse atyre më të rinjve Klinika e Ortopedisë ua siguron falas.